Tirana është përfshirë nga protestat, pasi studentë, prindër, të moshuar dhe nxënës të gjimnazit “Partizani” kanë dalë në rrugë në shenjë revolte, pas bojkotimit të mësimit. Sot shënohet dita e dytë e protestës studentore, e cila ka sjellë reagime të shumta edhe nga personazhe të njohur publikë.
Mes tyre është edhe këngëtari Luiz Ejlli, i cili ka reaguar përmes një mesazhi në rrjetet sociale, duke shprehur shqetësimin e tij për mënyrën se si trajtohen qytetarët që ngrihen për të kërkuar të drejtat e tyre.
“Një shtet matet nga mënyra se si i trajton njerëzit kur ata nuk pajtohen me të. Populli nuk duhet të ketë frikë nga ata që paguhen për ta mbrojtur.
Mos e matni dhimbjen e një populli me numrin e njerëzve në shesh, por mateni me numrin e atyre që janë larguar, me ëndrrat që janë shuar dhe me lotët që derdhen në heshtje, larg kamerave”, shkruan këngëtari.
Në reagimin e tij, Ejlli ndalet veçanërisht te protestat e studentëve, duke vënë theksin te dhimbja e atyre që dalin në rrugë për të kërkuar drejtësi, por përfundojnë në një situatë të vështirë.
“Nuk ka britmë më të dhimbshme sesa ajo e një studenti që kërkon drejtësi dhe përfundon duke kërkuar mëshirë.
I lutem Zotit që t’i japë forcë atyre që sot po qajnë, t’i shërojë plagët atyre që janë lënduar dhe të mos lejojë që dhimbja e tyre të harrohet nesër”, përfundon reagimi i Luiz Ejllit.
Mesazhi i këngëtarit vjen në një moment kur protesta studentore vijon të tërheqë vëmendjen, ndërsa kërkesat e protestuesve dhe mënyra e trajtimit të tyre mbeten në qendër të debatit publik.

