Situata e protestave të të rinjve në qytetin e Korçës vijon të jetë në vëmendje, ndërsa gjimnazi “Raqi Qirinxhi” raportohet se është rrethuar nga forca policie dhe persona civilë, në një kohë kur protestuesit po përpiqen të mobilizojnë nxënësit për t’iu bashkuar protestës.
Të rinjtë janë ndalur pranë ambienteve të gjimnazit, ku u kanë bërë thirrje bashkëmoshatarëve të dalin nga shkolla dhe t’u bashkohen protestave.
Marshimi është shoqëruar me thirrje kundër qeverisë, ndërsa situata në qytet mbetet e tensionuar pas episodeve të mëparshme.
Kontrolle të çantave në rrugicat e Korçës
Korça, një qytet që po zbrazet gjithnjë e më shumë nga të rinjtë, duket se është kthyer në një vend ku çdo lëvizje mund të vëzhgohet dhe çdo protestë mund të vihet nën kontroll. Në një qytet të vogël, ku njerëzit njihen me njëri-tjetrin dhe informacioni përhapet shpejt, kontrolli mbi lëvizjet e qytetarëve është shumë më i lehtë ndersa kerkojne shuarjen e tyre me cdo çmim.
Prania e personave civilë pranë gjimnazit “Raqi Qirinxhi” dhe raportimet për kontrolle çantash në rrugicat e qytetit ngrenë pikëpyetje serioze. A po shfrytëzohet fakti që Korça ka mbetur provincë, për ta bërë më të lehtë monitorimin dhe kontrollin e të rinjve që duan të protestojnë?
Një qytet që dikur mburrej me kulturën, arsimin dhe traditën qytetare, sot rrezikon të shihet si një vend ku të rinjtë largohen, ndërsa ata që mbeten për të ngritur zërin përballen me praninë e shtuar të forcave të rendit.
Ndërkohë, marshimi drejt gjimnazeve synon të rrisë pjesëmarrjen e nxënësve në protestë. Të rinjtë kanë vijuar thirrjet :”Dilni nga shkolla, “Bashkohuni me ne” “Rama ik” dhe lerini te dalin…


