Bebe Rexha reagon për protestat në Shqipëri, shpërndan videon me skena të rënda

Këngëtarja shqiptare me famë ndërkombëtare, Bebe Rexha, ka tërhequr vëmendjen në rrjetet sociale pasi ka shpërndarë pamje nga protestat në Shqipëri, ku shfaqen përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë. Përmes videos së publikuar për miliona ndjekësit e saj, artistja ka përcjellë mesazhin “Rinia është e ardhmja”,

duke sjellë në vëmendje protestat dhe reagimin e të rinjve në Shqipëri.

Në pamjet e shpërndara shfaqet një i ri i shtrirë në asfalt, me shenja gjaku në fytyrë, si dhe momente të përballjes mes efektivëve të policisë dhe protestuesve. Videoja përmban gjithashtu pamje të turmave, zjarreve dhe reve të dendura të tymit gjatë protestave.

Montazhi shoqërohet me mesazhe në gjuhën angleze, mes tyre:

“And we must fight back” (Dhe ne duhet të kundërpërgjigjemi), “You can torture us” (Mund të na torturoni) dhe “But can you see that?” (Por a mund ta shihni këtë?).

Në vijim, teksa shfaqen flakë dhe tym, videoja përcjell edhe frazat “Fire is catching” (Zjarri po përhapet) dhe “You burn with us” (Ju digjeni bashkë me ne), duke përforcuar tonin protestues dhe mesazhin e revoltës që përcillet përmes pamjeve.

Shpërndarja nga Bebe Rexha merr një rëndësi të veçantë për shkak të audiencës së saj ndërkombëtare.

Këngëtarja me origjinë shqiptare, e cila ka ndërtuar një karrierë të suksesshme në industrinë muzikore botërore, u jep kështu më shumë ekspozim ndërkombëtar pamjeve që lidhen me protestat në Shqipëri. Reagimi vjen në një periudhë kur protestat studentore dhe qytetare, si dhe mënyra e ndërhyrjes së policisë ndaj protestuesve, janë pjesë e debatit publik.

Mesazhi që përcillet në fund të videos është i drejtpërdrejtë: “Brezi i ri është e ardhmja.” Një thirrje që, përmes shpërndarjes nga artistja me famë botërore, mund të tërheqë vëmendjen edhe përtej kufijve të Shqipërisë.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.