Nga Naum Mara:
Korça fle
Gjithnjë e më shumë po tregojmë se nuk jemi kërkund. Sot mjaftuan patrullat e policisë para dyerve të gjimnazeve për të “neutralizuar” protestën. Universiteti i Korçës bën mirë dhe emrin e Fan Nolit mos e ketë më, se nuk ka asgjë të përbashkët me shpirtin e lirë të Uratës së shquar.
I biri i Laces fle, se ka fjetur gjithnjë, dhe Bordin me siguri ja vërtit Peleshi;
Këshilli i Studentëve do bënte një mbledhje ku të vendoste të ngriheshin apo jo në protestë, por nuk e ka caktuar nëse do e bëjë këtë tremujor apo tjetrin dhe ndonjë pedagog me grada shkencore nuk kam dëgjuar të thotë gjë, por mbase edhe gaboj.
“E mo kujt ja tregon ti këto, ce s’i dimë ne o po do na i tregosh ti nga filifistuni!” mund të të hidhet në grykë çdo dembel intelektual, që mund të jetë edhe Profesor me titull.
Nuk di se cilët janë atje nga të brezit tim, se ka të ngjarë të jenë në pension, po mefshtësia e atij institucioni dhe orientimi drejt bujqësisë socialiste është trashëguar nga koha e Nesti Pelës, tek ajo e Ylli Manokut dhe ka arritur deri në shekullin e XXI.
Dhe kur fle institucioni i mbushur me të rinj që shkollohen, si dhe me pedagogë të shkolluar, nuk mund të zgjohet qyteti, që zakonisht gogësin deri më 8 e gjysëm të mëngjesit.
Nuk mund të bëj, për çdo gjë që ndodh në qytetin tim, fajtor Di Lanan. Ai ka gjetur shesh.
Por një propozim do e bëj dhe pse e di që nuk do e marrë njeri parasysh.
Vejani emrin Universiteti “Teleshmëni”. Urata vetë do kishte gjetur një emër më të goditur, se kishte edhe shumë humor, por unë deri më kaq mundem.

