Aktivisti Sazan Guri, një prej personave të lënduar gjatë protestës së djeshme, i është drejtuar me një kërkesë publike kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, duke i kërkuar dorëheqjen nga drejtimi i partisë, për t’i hapur rrugën ringritjes së opozitës shqiptare.
Reagimi i Gurit vjen pas përplasjeve mes policisë dhe protestuesve, të cilat shoqëruan protestën e mbrëmshme. Pavarësisht se Berisha e kishte marrë publikisht në mbrojtje pas dhunës së pretenduar ndaj tij, aktivisti i kërkon tashmë kreut të PD-së të largohet nga detyra.
Në reagimin e tij, përmes publikimit të një letre të hapur të Akademisë “Rrënjët Tona”, Guri i bën thirrje Berishës të reflektojë dhe të marrë përgjegjësi për situatën politike në vend.
“Ka pasur dhe ai një rast të tillë, të tregojë sa nuk është vonë, sa Shqipëria nuk ka vajtur në luftë, se në prag është çuar”, shprehet Guri, duke argumentuar se njerëzit e ditur dhe qytetarët e përgjegjshëm duhet të japin mendimin e tyre për të ardhmen e vendit.
Më tej, aktivisti i kërkon Berishës të largohet nga drejtimi i opozitës, duke iu referuar edhe rasteve të mëparshme të dorëheqjes.
“Tregohu burrë për herë të tretë, jepe atë dorëheqje për hatër të studentëve që nuk ju duan të dyve, por edhe për hatrin tonë që boll më na dilni me fjalë të ndryshme, por me axhenda të njëjta”, shkruan Guri.
Ai shprehet se qytetarët nuk duhet të mashtrohen nga deklaratat politike dhe paralajmëron se vonesa në largimin nga drejtimi politik mund të sjellë pasoja për vendin.
Gjatë përplasjeve të mbrëmshme, Sazan Guri u lëndua pasi, sipas raportimeve, u qëllua me plumb gome nga forcat e policisë. Pas ngjarjes, Sali Berisha reagoi publikisht, duke kërkuar nga prokuroria hetimin e veprimeve të policisë ndaj protestuesve dhe aktivistëve, si dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të efektivëve që mund të kenë shkelur ligjin.

