“Një goditje, dy hapa dhe rashë në tokë”/ 28-vjeçari: “Plumbi më ka mbetur në sy

Erjon Vishkulli, i plagosur në sy nga një plumb gome gjatë protestës, rrëfen për herë të parë për Top Channel momentin e goditjes dhe betejën me dhimbjen e pasigurinë për shikimin. Plumbi ndodhet ende në syrin e tij të majtë, ndërsa është siguruar transporti drejt një spitali në Romë për trajtim të specializuar.

“Një goditje, dy hapa dhe më pas rrëzimi në tokë.” Kështu e përshkruan Erjon Vishkulli momentin kur u plagos në sy nga një plumb gome gjatë protestës. Në një intervistë ekskluzive për gazetarin e Top Channel, Endi Tufa, ai tregon çfarë ndodhi në ato pak sekonda që ndryshuan gjithçka.

Erjoni rrëfen se në momentin e ngjarjes kishte hequr maskën e oksigjenit dhe po përgatitej të largohej, pasi kishte shkuar për të takuar disa shokë. Sipas tij, efektivët e policisë ndodheshin rreth 30 metra larg dhe nuk kishte pasur asnjë reagim përpara se të goditej.

“Shkova të takoja shokët dhe do të ikja. Kisha hequr maskën e oksigjenit dhe në atë moment takova një shok gazetar. I kisha diku 30 metra larg policët, pa asnjë reagim, pa asgjë. Vetëm kur më vjen një goditje, eca rreth dy metra dhe rashë në tokë”, tregoi ai për Top Channel.

Plumbi ndodhet ende në syrin e majtë

Goditja e la Erjonin pjesërisht të vetëdijshëm. Kujtimet për momentet pas plagosjes janë të pakta, por ai mban mend ndihmën e një shoku, i cili e transportoi me makinë. Më pas, nisi një tjetër betejë, këtë herë në spital, mes dhimbjes dhe frikës për humbjen e shikimit.

“Isha pak i vetëdijshëm, ndërkohë që një shok më shoqëroi me makinë. Kaq mbaj mend pastaj”, u shpreh ai.

Plumbi i gomës ndodhet ende në syrin e majtë të Erjonit. Pasojat e plagosjes dhe rreziku për shikimin mbeten shqetësimi kryesor, ndërsa ai vijon të përballet me dhimbje të forta.

“Vazhdoj ta kem ende plumbin e gomës në sy. Nuk e di tani të them se sa i lartë është rreziku, por e lehtë nuk është, sepse kam shumë dhimbje”, tha Vishkulli.

Transportohet drejt Romës për trajtim të specializuar

Në kushtet kur gjendja e syrit kërkon kujdes të specializuar, Roma është kthyer në shpresën e radhës për Erjonin.

Pas kontakteve të Top Channel me stafin e spitalit, mjekët dhe të afërmit e tij, është siguruar transporti drejt një spitali në Romë, ku ai pritet të niset pasditen e sotme për të marrë trajtim më të specializuar mjekësor.

Ndërsa mbetet në pritje të ndërhyrjes dhe të një përgjigjeje për të ardhmen e shikimit, Erjoni e mbyll dëshminë me një mesazh të shkurtër, por domethënës.

“Vetëm fitore”, thotë ai.

I pyetur nga gazetari Endi Tufa se çfarë do të thotë kjo shprehje, Vishkulli përgjigjet: “Shqipëria është e jona”.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.