“Maskë në protestë, deri në 6 muaj burg!”/ Rama prezanton masat e reja

Kryeministri Edi Rama ka njoftuar ndryshime të propozuara në Kodin Penal, në kuadër të paketës së re ligjore kundër dhunës dhe anarkisë urbane. Masat parashikojnë ashpërsimin e dënimeve për dhunën gjatë tubimeve, dëmtimin e pronës dhe nxitjen e akteve të dhunshme.

Sipas Ramës, ndryshimet janë hartuar duke u bazuar në praktikat e vendeve të Bashkimit Europian, ndërsa protesta paqësore, kritika politike, satira dhe gazetaria do të vijojnë të mbrohen.

Një nga masat kryesore lidhet me fshehjen e fytyrës gjatë tubimeve të dhunshme.

Sipas propozimit, personat që mbulojnë fytyrën në kushtet e dhunës ose të rrezikut konkret për dhunë do të përballen me gjobë ose deri në 6 muaj burg. Përjashtim bëjnë rastet e mbulimit për arsye shëndetësore, fetare apo profesionale, sipas kushteve të përcaktuara.

Ndryshimet parashikojnë gjithashtu deri në 2 vite burg për personat që kapen me armë ose sende të rrezikshme gjatë tubimeve.

Sa i përket dhunës ndaj policisë dhe qytetarëve, dënimi propozohet të rritet deri në një të tretën kur vepra kryhet nga një person i maskuar. Ndërkohë, për shkatërrimin e pronës gjatë protestave parashikohen masa më të rënda, deri në dyfishimin e dënimit në rastet kur dëmtohen shkolla, institucione publike, shërbime publike apo monumente kulture.

Paketën e plotësojnë edhe dispozitat për nxitjen publike të dhunës, përfshirë thirrjet në rrjetet sociale, kur ato krijojnë rrezik real dhe të afërt. Dënimet parashikohet të jenë më të rënda kur thirrjet u drejtohen fëmijëve ose kur pas tyre ndodhin akte dhune.

Ndryshimet e prezantuara nga Rama janë propozime ligjore dhe do të duhet të ndiqet procedura përkatëse për miratimin dhe hyrjen e tyre në fuqi.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.