“Akt frike për të mbrojtur karrigen”, Studenti shpërthen ndaj Ramës: Po dhunon të ardhmen e Shqipërisë!

Protesta para Ministrisë së Arsimit, studenti kundërshton paketën e re ligjore të kryeministrit: “Nuk mund të ketë dialog me një kryeministër që rreh të ardhmen e këtij vendi”. Një student i pranishëm në protestën e zhvilluar përpara Ministrisë së Arsimit ka reaguar ashpër ndaj paketës së re ligjore të paralajmëruar nga kryeministri Edi Rama për dhunën gjatë protestave, duke e cilësuar nismën si një përpjekje për të mbrojtur pushtetin.

Në një prononcim për mediat, studenti deklaroi se interesat politike të kryeministrit nuk mund të vendosen mbi të ardhmen e vendit. Sipas tij, ndryshimet ligjore të propozuara janë shenjë frike, ndërsa përplasjet mes protestuesve dhe policisë e bëjnë gjithnjë e më të vështirë dialogun.

“Ne e shohim si akt frike. Kur një person e ndjen veten të detyruar që të ndryshojë ligje për të mbrojtur veten, karrigen dhe pushtetin e tij, mendoj se është më e rëndësishme e ardhmja e Shqipërisë sesa një karrige”, u shpreh studenti.

“Po dhunon të ardhmen e këtij vendi”

Studenti vijoi me akuza të forta ndaj kreut të qeverisë, duke iu referuar përdorimit të forcës nga policia gjatë protestave. Ai argumentoi se dhuna ndaj të rinjve minon çdo mundësi për dialog mes studentëve dhe institucioneve shtetërore.

“Ai po e rreh, dhunon dhe godet me plumba të ardhmen e këtij vendi. Nuk mund të ketë më vend për dialog me një kryeministër që rreh të ardhmen e këtij vendi dhe i ka dalë e ardhmja e këtij vendi kundër”, deklaroi ai.

Studentët kundër paketës së re ligjore

Protesta përpara Ministrisë së Arsimit zhvillohet në një klimë tensionesh mes studentëve dhe qeverisë, pas paralajmërimeve të kryeministrit Rama për masa të reja ligjore lidhur me dhunën gjatë tubimeve.

Kundërshtimet e studentëve lidhen me mënyrën se si qeveria po trajton protestat dhe me shqetësimet se ndryshimet e propozuara mund të ndikojnë te ushtrimi i së drejtës për tubim dhe protestë.

Deklaratat e studentit pasqyrojnë pakënaqësinë e shprehur gjatë protestës, ndërsa debati për paketën e re ligjore pritet të vijojë në ditët në vazhdim.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.