Drejtoresha e Qendrës së Realizimit të Veprave të Artit pranë Bashkisë së Tiranës, Monika Lubonja, u ka bërë thirrje qytetarëve dhe protestuesve që të tregojnë kujdes dhe të mos dëmtojnë monumentet e figurave historike në kryeqytet.
Apeli i saj vjen në prag të festave të Nëntorit, ndërsa të shtunën, më 28 nëntor, pritet të mbahet një protestë mbarëkombëtare në Tiranë.
Përmes një reagimi publik, Lubonja thekson se e drejta për të protestuar është e patjetërsueshme dhe se qytetarët kanë të drejtë të shprehin pakënaqësitë e tyre, por kjo nuk duhet të shoqërohet me dëmtimin e simboleve kombëtare.
Ajo u ndal veçanërisht te shtatoret e Ismail Qemalit dhe Skënderbeut, duke nënvizuar se këto monumente nuk i përkasin asnjë partie apo pushteti, por historisë së përbashkët të shqiptarëve.
“Mos i mbuloni sytë e historisë sonë. Mos i plagosni simbolet që duhet të na bashkojnë”, apelon Lubonja, duke kërkuar respekt për figurat që kanë lënë gjurmë në historinë dhe pavarësinë e vendit.
Në mesazhin e saj, ajo thekson se pavarësisht bindjeve të ndryshme politike dhe pakënaqësive, respekti për historinë duhet të mbetet një vlerë e përbashkët.
Sipas saj, një komb nuk e nderon historinë vetëm përmes festimeve dhe fjalimeve, por edhe përmes kujdesit që tregon ndaj simboleve dhe monumenteve të tij.
