All posts by korcablog.com

KorcaBlog.com

Përplasje fatale në aksin Pogradec–Qafë Thanë, vdes 26-vjeçarja , 4- ngelen te plagosur…

Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur rreth orës 11:30 në aksin “Pogradec–Qafë Thanë”, pranë fshatit Pojskë ku janë përplasur dy automjete, njëri prej tyre me targa të huaja. Sipas të dhënave paraprake, aksidenti ndodhi rreth orës 11:30, kur një automjet tip “Golf” me targa të Maqedonisë së Veriut dyshohet se kreu një parakalim të gabuar, duke u përplasur ballë për ballë me një automjet tip “Benz”, ku udhëtonte një familje nga Korça.

Si pasojë e goditjes së fortë, ka humbur jetën Elmedina Lloga, 26 vjeçe, banuese në Maqedoninë e Veriut, e cila ndodhej si pasagjere në automjetin me targa të huaja. E reja mbeti e bllokuar në mjet për më shumë se 20 minuta dhe, megjithëse në vendngjarje ndërhynë forcat zjarrfikëse për ta nxjerrë nga automjeti, plagët e marra rezultuan fatale.

Nga përplasja mbetën të plagosur të dy drejtuesit e mjeteve, si edhe dy pasagjerë të tjerë. Në mesin e të lënduarve janë edhe anëtarë të familjes që udhëtonte në automjetin “Benz”. Të gjithë janë transportuar në Spitalin e Pogradecit, ku po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore.

Autoritetet po hetojnë shkaqet e plota të aksidentit, ndërsa qarkullimi në këtë segment rrugor u vështirësua për disa minuta deri në normalizimin e situatës.

Botërori 2026/ Maroku befason Brazilin, sfida në New Jersey mbyllet 1-1

Brazili dhe Maroku barazuan 1-1 mëngjesin e kësaj të diele në ‘MetLife Stadium’ të New Jerseyt për Grupin C të Kupës së Botës 2026. Në debutimin e tyre në këtë event, të dyja skuadrat ndanë nga një pikë para 82.500 tifozëve në stadium, por afrikanët surprizuan duke treguar një cilësi të lartë fizike dhe taktike. 

Me këtë barazim Brazili e zgjat rekordin në 21 ndeshje pa humbje në sfidat e para në edicionet e Kupës së Botës.

Ndeshja nisi më mirë për Marokun. Vendi i katërt në Kupën e Botës 2022 tregoi edhe njëherë se është një ‘kockë e vjetër’ në fushë, aq sa kaloi në epërsi pas 21 minutave lojë. Mesfushori i Real Madridit, Brahim Diaz, dhuroi një pasim fantastik për Ismael Saibarin, me këtë të fundit që ia la sferën pas shpine portierit Alisson me një parabolë nga jashtë zone.

Me ndeshjen që po fliste për afrikanët, Brazili ‘u zgjua’ duke u hedhur në sulm. Duhej minuta e 32-të kur Vinicius Junior, duke përfituar nga pasimi i Guimaraes, lëshoi një ‘predhë’ me të djathtën nga brenda zone për të barazuar në 1-1 rezultatin.

Në pjesën e dytë, edhe pse trajnerët Carlo Ancelotti dhe Mohamed Ouahbi bënë dhjetë zëvendëime në total, rezultati nuk ndryshoi. Kështu, Brazili dhe Maroku kanë nga një pikë në Grupin C.

Ndeshjen e radhës Brazili e luan kundër Haitit më 20 qershor, ndërsa Maroku përballet kundër Skocisë, po më 20 qershor, për sfidat e dyta të grupit.

FT/ Brazil 1-1 Marok (Vinicius Junior 32′ / Ismael Saibari 21′)

“Më ngatërruan me një person tjetër”/ 29-vjeçari nga Maliqi denoncon dh*nën e policisë greke

Mbrëmjen e djeshme në urgjencën e spitalit të Korçës është paraqitur një 29-vjeçar me dëmtime në trup.

Sipas informacioneve të konfirmuara në polici, mësohet se 29-vjeçari është dhunuar nga policia greke në Kalkidhë rreth 13 ditë më parë.

Sipas deklarimeve të 29-vjeçarit nga Maliqi, bëhet me dije se ai është dhunuar nga policia greke pasi e kanë ngatërruar për autor të një vepre penale, por pas verifikimeve ka rezultuar i pafajshëm.

29-vjeçari Maldin Maxhari ka bërë kallëzim në policinë greke ndërsa është dëbuar nga ky shtet dhe ka kaluar nga Kakavija për t’u kthyer në Maliq. Për shkak të dëmtimeve, ai ka shkuar në spitalin e Korçës ku po merr ndihmën mjekësore dhe dyshohet se ka dëmtime në brinjë dhe në shpretkë.

Policia e juglindjes ka marrë deklarimet e 29-vjeçarit ndërsa pritet të vendoset se çfarë proçedura do të ndiqen më tej me rastin pasi ngjarja ka ndodhur në Greqi.

Rama për protestën: Kush nuk është me ne quhet armik, kjo është rruga drejt intolerancës dhe jo demokracisë

Kryeministri Edi Rama ka marrë shkas nga thirrjet për bojkotin e koncertit të Ylli Limanit për të reaguar sërish për protestën qytetare që tashmë është në ditën e 14.

REAGIMI

Nuk e dëgjoj muzikën e tij. Por dhunën online ndaj tij, thirrjet e dhunshme për bojkot të koncertit të tij, kërcënimet pas suksesit të mbrëmshëm të tij, i konsideroj si shprehjen më të neveritshme të një fenomeni që po e shoqëron protestën e bulevardit; një formë degradimi e jetës publike në kanalet sociale tanimë e ngritur në një nivel të ri dhune në grup, që nuk duhet justifikuar, nuk duhet relativizuar dhe nuk duhet pranuar assesi me strukjen në qoshen e heshtjes, po duhet luftuar me forcën e fjalës.

Fakti është se po bie pak e nga pak histeria ndërkombëtare e rrjeteve sociale, e cila nuk ka asnjë lidhje me natyrën e Shqipërisë, me Zvërnecin a me flamingot e Nartës, por ushqehet nga kundërshtira ideologjike të sojsoshme, ku padyshim kundërshtia ndaj Presidentit amerikan është kryesorja fare – se ndryshe dyshoj shumë që një ndërkombëtar i vetëm do të merrej me një projekt zhvillimi turistik në Shqipëri.

E s’ka si ndodh ndryshe, do bjerë pak e nga pak, sepse Shqipëria është një shesh shumë i vogël për përsheshin global anti-Trump!

Por nga ana tjetër po ngrihet përditë e më shumë një dallgë dhune verbale, plot presion, vulgaritet e kërcënime ndaj kujtdo që nuk rreshtohet me protestuesit e bulevardit, që nga thirrjet rrugëve “çohuni nga kafja” se medemek atdheu ju thërret, tek thirrjet për të bllokuar rrugë se medemek kush do të bëjë punë të tjera duhet detyruar të merret me punën atdhetare të bulevardit, e deri tek një histeri intimiduese online në emër të atdheut që s’ka asnjë lidhje me elegancën e me paqen e flamingove!

Historia na ka treguar më shumë se sa njëherë dhe më shpesh se sa në një kohë, që kjo është pikërisht forma se si janë shfaqur historikisht shumë lëvizje të cilat më pas janë shndërruar në shembëlltyra të organizuara të intolerancës politike e sociale. Jo duke bindur me argumente logjikë, por duke u imponuar me presion pseudo- moral.

Jo duke respektuar të drejtën e tjetrit për të menduar ndryshe, por duke e shpallur tradhtar, të shitur, armik të popullit apo bashkëpunëtor të së keqes këdo që nuk i nënshtrohet thirrjes pseudo-atdhetare.

Me auto-sugjestionin se vetëm një grup njerëzish zotëron të vërtetën absolute, ushqehet përçmimi ndaj shumicës që nuk bashkohet me ta dhe mbështetet ideja e ligë, se ata që nuk protestojnë duhen turpëruar, izoluar, penguar apo deri edhe largqoftë, dhunuar fizikisht derisa të detyrohen të zgjedhin anë. Dhe kështu demokracia nuk merr më shumë frymë, po fillon të humbasë pulsin e saj.

Asnjë lëvizje ekstremiste nuk nis duke marrë pushtetin me forcë, po duke pretenduar se vetëm ajo e përfaqëson kombin, vetëm ajo e dëgjon zërin e popullit dhe vetëm ajo ka të drejtën morale për të vendosur në emër të popullit se kush është patriot e kush jo.

Në Itali, skuadronet e zeza të Musolinit u shfaqën duke intimiduar kundërshtarët në rrugë para se të pushtonin institucionet – kush ecte në punën e tij ishte shënjestra e tyre e preferuar. Në Gjermani, militantët nazistë krijuan rrugëve një klimë frike e presioni shoqëror, kohë përpara se të fitonin pushtetin – çohuni nga kafja ishte ulërima e tyre e preferuar.

Në Greqi, Agimi i Artë u ngrit mbi të njëjtën frymë përjashtuese, agresive dhe nacionaliste, duke ushqyer ndasi, urrejtje dhe presion ndaj kujtdo që nuk i nënshtrohej hajvanllëkut të vet pseudo-patriotik, për “Greqinë që duhet të ishte vetëm e grekëve”!

“Ne jemi populli i vërtetë” dhe kush s’është me ne është “armiku i popullit”, është formula që i paraprin pasojave të rënda politike e shoqërore, kur kjo formulë përqafohet nga një grupim njerëzish me fjalor të kufizuar, po me mëri të shfrenuar.

Dhe këtu nuk është aspak fjala se kush proteston sot duhet etiketuar me vrap si neo-fashist, kurrësesi jo, sepse shumëkush nga ushtruesit e dhunës online as nuk e di fare se çfarë bën!

Por fjala është tek fakti se kush dhunon online ata që nuk rreshtohen me protestën, e që janë padiskutim shumica e popullit shqiptar (edhe përtej shumicës që mbështet qeverinë e Partisë Socialiste), jo vetëm nuk e bën Shqipërinë më të mirë po godet aty mu ku Shqipëria ka pikën e vet më të fortë, refuzimin e saj organik ndaj frymës nacional-socialiste apo neo-komuniste, prej të cilave shqiptarët kanë parë picirrin e zi dhe të cilat kanë bashkuar në bulevard edhe ekstremet politike të shqiptarizmës së shtirur,

nga llapaqorrat tek qorrallapat pa harruar grusht-shtetasit e lodhur të 1998-ës apo të ardhurit nga treva të tjera shqiptare për të mbrojtur Shqipërinë Etnike nga investimet e huaja!

Prandaj diskutimi nuk është aspak nëse dikush proteston apo jo.

Protesta është e drejtë demokratike dhe duhet respektuar gjithmonë; shumica qeverisëse e Partisë Socialiste e ka respektin për protestën një ndër plot arritjet demokratike të Shqipërisë nën udhëheqjen e saj. Por po ashtu, e drejta e fjalës është më e rëndësishme se sa përmbajtja e fjalëve dhe kur protesta nxjerr si hije të vetën pretendimin se kush nuk proteston është më pak qytetar, më pak patriot apo më pak shqiptar, atëherë demokracia nuk rrezikohet nga lart po nga poshtë.

Dhe historia na ka mësuar më shumë se sa një herë, që kur dialogu zëvendësohet nga anatema, argumenti nga sharja dhe bindja nga frikësimi, e kur turma merr kot duke i dhënë vetes të drejtën të vendosë kush ka të drejtë të flasë e kush jo, përfundimi nuk është kurrë liria po fundi i saj. Nga kjo frymë Shqipëria vetëm humbet, ekonomia vetëm tkurret, investimet vetëm largohen dhe e ardhmja vetëm mjegullohet.

Por ky popull nuk ka ardhur deri këtu për t’u kthyer mbrapa atje ku ishte, po për t’u ngjitur më lart. Pa frikë nga lartësia ku s’ka qenë kurrë, po me bindjen që çfarë e ka penguar në shekuj të arrijë aty, nuk ka për ta penguar dot më! Dhe me vendosmërinë për t’ia dalë deri në fund këtë herë, edhe sikur të tërë djajtë të bëhen bashkë për t’ia punuar, siç ia kanë punuar jo njëherë në historinë e vet të dhimbshme.

‘Kush ka vjedhur të shkojë në burg’ Flavio Qarri mban fjalim të fortë para protestuesve

Gjatë protestës së sotme ka qenë i pranishëm edhe gazetari i njohur i Syri Tv Flavio Qarri, i cili ka mabjtur një fjalim para protestuesve. Gkatë fjalës së tij ai hodhi akuza të forta ndaj Ramës, duke kërkuar një “qeveri të sheshit” për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme, si dhe hetimin e kryeministrit Edi Rama.

“Po jetojmë një kohë kur askush nga ne nuk mund të rrijë i heshtur.

Sepse nuk mund të heshtësh kur shkolla s’na mëson më asgjë, kur spitali nuk na shëron dhe kur policia nuk na mbron. Kushdo që ka vjedhur duhet të shkojë në burg, nga i pari te i fundit. Nuk mund të heshtim, sepse asnjëri nga ne nuk blen dot një shtëpi, sepse pallatet nuk ndërtohen me çimento, por me pluhurin e bardhë të trafiqeve.

Shumë shpejtë vajza ime do e takojë shoqen e vet që iku jashtë shtetit, shumë shpejtë shqiptarët do e presin biletën e kthimit dhe ky do presë një biletë vetëm vajtje, por jo me avionin personal.

Kam një gjë shumë të rëndësishme, ky e ka fiksim të na numërojë sa jemi në shesh. Të gjithë në burg, por ka një çështje, kushdo që na ka tradhtuar duhet të shkojë në burg.

Dua t’ja jap një shifër Edi Ramës që thotë jeni 2 mijë veta. Po për 2 miliardë eurot që vjedh në vit si do ja bëjmë? Edi Rama s’duhet të numërojë as paratë, as pronat dhe as votat e shqiptarëve. Prandaj dorëheqja nuk mjafton, na duhet qeveri e sheshit për zgjedhje dhe na duhet që ai të hetohet. Ça ironia është kur e ke emrin Edi dhe nuk e di që ke mbaru”, tha Qarri.

‘Po ngacmojnë motrën time’/ Mateo Borri humb qetësinë…

Mateo Borri është bërë së fundmi pjesë e një kamere të fshehtë të realizuar nga personazhet e emisionit “Andale”, në një situatë që vuri në provë instinktin e tij mbrojtës ndaj motrës.

Gjithçka ishte organizuar me ndihmën e motrës së tij, Kejsit, e cila pranoi të bëhej pjesë e kurthit të përgatitur nga stafi i emisionit. Sipas skenarit, ajo telefonoi Mateon duke i treguar se një i ri po e shqetësonte dhe po e ngacmonte vazhdimisht në ambientin ku ndodhej.

Menjëherë pas telefonatës, ish-banori i “Big Brother VIP Albania” u nis drejt vendit të ngjarjes. Në momentin që mbërriti, ai pa një të ri pranë motrës së tij, çka e bëri të reagonte menjëherë.

Pamjet tregojnë se Mateo i kërkoi llogari të riut dhe u vendos përpara motrës për ta mbrojtur. Situata u tensionua në pak sekonda dhe Mateo u pa duke e tërhequr të riun prej bluze.

Kur organizatorët kuptuan se situata po dilte nga kontrolli, ata ndërhynë dhe zbuluan se gjithçka ishte një kamerë e fshehtë. Pavarësisht zbulimit të vërtetës, Mateo vazhdoi të ishte i tensionuar.

Sipas organizatorëve, realizimi i kësaj kamere të fshehtë kishte kërkuar disa javë planifikim, ndërsa ishte shtyrë disa herë deri në momentin kur u bë e mundur të vihej në zbatim.

‘Vdiq se u fikën dritat gjatë operacionit’/ Halla e Erjon Bobës:”Dhimbja jonë do shërohet kur të shërohet Shqipëria

Halla Erion Bobës ka marrë pjesë këtë shtunë në protest para Kryeministrisë ku ka mbajtur edhe fjalën e saj para protestuesve. Ajo theksoi se nipi i saj nuk u vra vetëm nga bashkëmoshatari i tij por edhe nga shteti ku sipas saj gjatë operacioni u fikën dritat në spital.

“Unë jam halla e Erjonit, e këtij Erionit që e vrau një thikë nga një bashkëmoshatar, por e vrau edhe shteti sepse gjatë operacionit u fikën dritat në spital.

Plagët e këtij vendi janë lot të rënda të nënave shqiptare. Janë lotët e nënave që nuk i kanë fëmijët sot në këtë shesh për t’u bashkuar të gjitha, me gjithë lotët e tyre që peshojnë shumë tokën shqiptare.

Unë jam mësuese, jam poete që shkruaj, por pena ime loton që katër muaj, pesë muaj për Erion Bobën. Dhimbja jonë do shërohet kur shërohet Shqipëria!

Faleminderit gjithë emigrantëve që e kanë mbështetur këtë nismë. Rama ik, Berisha ik! Shporruni njëherë e përgjithmonë! Shporruni të shpëtojë ky vend nga kjo zgjedhë fashiste e juaja!

Bravo rinia shqiptare, e gëzofshin Shqipërinë e bukur. E gëzofshim këtë tokë, këtë natyrë që na ka dhënë Zoti. Qofshi të bekuar, faleminderit shumë”, tha ajo.

Grupi i Pilinçit u bashkohen në sheshin “Skënderbej”, qytetarët distancohen

Në protestën që po zhvillohet prej dy javësh në Tiranë, një grup i drejtuar nga Pëllumb Pilinçi është shfaqur në sheshin “Skënderbej” me pajisje zanore dhe me shpërndarje të flamujve shqiptarë dhe amerikanë, duke tërhequr vëmendjen e të pranishmëve.

Pjesa tjetër e protestuesve që janë mbledhur prej ditësh në shesh janë distancuar nga ky grup, ndërsa kanë vijuar organizimin e tyre me qëllim nisjen e marshimit drejt Kryeministrisë.

Atmosfera në shesh është karakterizuar nga lëvizje të ndara dhe mungesë koordinimi të plotë mes dy grupeve.

Protestuesit kryesorë i kanë kërkuar grupit të drejtuar nga Pilinçi që të ulin volumin e pajisjeve zanore deri në momentin e nisjes së marshimit, me qëllim ruajtjen e rendit dhe strukturës së aktivitetit protestues. Kjo kërkesë është bërë për të shmangur mbivendosjen e mesazheve dhe për të mbajtur fokusin te organizimi i përbashkët.

Nga ana tjetër, përfaqësues të grupit të Pilinçit janë shprehur se disponojnë lejen për zhvillimin e protestës dhe kanë deklaruar se drejtuesi i tyre pritet të mbërrijë së shpejti në shesh për t’iu bashkuar tubimit. Ata kanë vijuar aktivitetin e tyre të veçantë brenda të njëjtës hapësirë publike.

Më pas, grupi i Pilinçit ka nisur fjalimet dhe aktivitetin e vet në shesh, ndërsa pjesa tjetër e protestuesve ka vijuar me planin e parashikuar për marshimin drejt Kryeministrisë, duke ruajtur itinerarin dhe organizimin e tyre të mëparshëm.

‘Vendi është bërë i pajetueshem/“Politico”: Shqiptarëve u ka ardhur në majë të hundës me Ramën dhe Berishën

Si dhëndri i Trump shkaktoi aksidentalisht një revoltë kundër establishmentit politik në Shqipëri Kur Jared Kushner, dhëndri i Donald Trump, vendosi të investojë në një kompleks luksoz turistik në bregdetin idilik jugor të Shqipërisë, ndoshta nuk e kishte llogaritur se do të provokonte një revoltë kombëtare.

Por shqiptarët, siç duket, nuk janë treguar entuziastë ndaj idesë që investitorë të huaj të ndërtojnë komplekse turistike mbi disa prej pasurive më të çmuara natyrore të vendit.

Projekti i propozuar për një resort me 10 mijë shtretër pranë një zone të mbrojtur ku jetojnë flamingo, breshka dhe ku ndodhet një nga deltat lumore më të paprekura në Evropë, ka nxitur ndoshta protestat më të mëdha popullore që nga braktisja e komunizmit më shumë se tre dekada më parë.

Brenda dy javësh, ajo që tashmë njihet si “Revolucioni i Flamingove” është shndërruar nga një protestë mjedisore në një fushatë mbarëkombëtare kundër gjithë klasës politike.

Vitet e korrupsionit të perceptuar qeveritar, zhvillimi i pakontrolluar turistik, pakënaqësitë për gjendjen ekonomike të vendit dhe bindja se Shqipëria po qeveriset për interesat e një pakice të pasur dhe jo të qytetarëve, kanë shtyrë shumë shqiptarë drejt protestës.

Demonstruesit kërkojnë tashmë dorëheqjen, madje edhe burgosjen e kryeministrit Edi Rama dhe liderit të opozitës, ish-kryeministrit Sali Berisha, dy figurat politike që kanë dominuar skenën shqiptare që nga rënia e regjimit komunist në vitin 1991.

“Të rinjtë dhe qytetarët këtu nuk po protestojnë vetëm kundër Ramës dhe Berishës, por kundër gjithë sistemit”, tha Françeska Muço, aktiviste e shoqërisë civile, gjatë protestave në Tiranë.

“Kjo është një protestë kundër gjithë sistemit të ndërtuar pas rënies së diktaturës dhe kundër modeleve negative që janë normalizuar në këtë vend”, shtoi ajo.

Biologu Olsi Nika, i cili udhëhoqi fushatën për shpalljen e lumit Vjosa park kombëtar, thotë se zemërimi publik shkon shumë më thellë sesa kundërshtimi ndaj investitorëve të huaj.

“Nuk bëhet fjalë për kundërshtimin e Jared Kushnerit”, thotë ai, duke argumentuar se Shqipëria ka një histori të gjatë të neglizhimit të standardeve mjedisore dhe se korrupsioni politik mbetet i përhapur.

Vetë Rama është treguar i palëkundur. Ai deklaroi se zhvilluesit e huaj të pasurive të paluajtshme, si Kushner, janë më të rëndësishëm për Shqipërinë sesa vetë shqiptarët.

“Të huajt janë prioriteti i parë, sepse sjellin para në vend për shqiptarët”, deklaroi ai.

Komentet e tij, të bëra ndërsa protestat po përhapeshin në të gjithë vendin, nuk ndihmuan në uljen e tensioneve.

“Nëse ai e tha këtë hapur, kjo është një nga arsyet pse po protestojmë”, tha Redi Muçi, deputet i Lëvizjes Bashkë.

“Shqipëria është bërë një vend i pajetueshëm për shqiptarët”, shtoi ai, duke përmendur rritjen e kostos së jetesës, përhapjen e Airbnb-ve në Tiranë dhe ndërtimin e resorteve përgjatë bregdetit.

Ndërkohë, ambicia e Shqipërisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian mbetet në pikëpyetje. Vendi konsiderohej një nga kandidatët më të avancuar për anëtarësim deri në vitin 2030, së bashku me Malin e Zi, por trazirat politike dhe shqetësimet për mjedisin po ndiqen me vëmendje nga Brukseli.

Resorti

Vlora është bërë epiqendra e bumit turistik në Shqipëri, duke tërhequr turistë që kërkojnë diellin dhe detin mesdhetar me çmime më të ulëta se në Greqi.

Megjithatë, zona në veri të qytetit ka mbetur deri tani e paprekur. Flamingot lëvizin në laguna, breshkat ndërtojnë foletë e tyre në rërë dhe fokat shfaqen ende përgjatë kësaj vije bregdetare.

Zona e mbrojtur Pishë Poro-Nartë është pjesë e deltës së lumit Vjosa, i njohur shpesh si lumi i fundit i egër i Evropës.

Por ky peizazh po përballet me rrezik. Një rrugë tashmë përshkon territorin, policia patrullon zonën dhe themelet prej betoni të gardheve të hequra shënojnë vendin ku pritet të ndërtohet resorti luksoz me vlerë 1.4 miliardë euro.

Edhe pse projekti është identifikuar kryesisht me Kushner dhe bashkëshorten e tij Ivanka Trump, disa raportime sugjerojnë se kompania e tij e investimeve mund të jetë tërhequr nga projekti.

Puna për resortin është miratuar pa një vlerësim të ndikimit në mjedis, çështje që është kthyer në zemrën e konfliktit.

“Kemi një fole breshkash të këtij viti që u shkatërrua nga makineritë. Është vetëm një kilometër larg prej këtu”, tha ambientalisti Konstandin Xhaho.

Ai tregoi drejt një rruge të re me zhavorr që përshkon dunat e rërës, plazhin dhe pyllin. Në fund të majit, një protestues u tërhoq zvarrë nga një roje sigurie në të njëjtën zonë, ndërsa banorët dhe aktivistët kërkonin heqjen e barrierave.

Pamje të tilla kanë rritur pakënaqësinë në nivel kombëtar.

Dhjetëra mijëra shqiptarë kanë dalë në rrugë, ndërsa protestat në Tiranë po hyjnë në javën e tretë. Demonstrata janë zhvilluar edhe në Shkodër, Durrës, Lezhë dhe Gjirokastër, si dhe nga komunitetet shqiptare në SHBA, Kanada, Francë, Gjermani, Greqi, Itali dhe Britaninë e Madhe.

Protestuesit kërkojnë anulimin e projektit dhe largimin e Ramës pas 13 vitesh në pushtet. /Përshtatur nga “Politico”

Berisha: “Do të vizitoj SHBA-në për të takuar miqtë…

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se planifikon të vizitojë Shtetet e Bashkuara në një moment të përshtatshëm, ndërsa ka shpjeguar edhe arsyet pse nuk ka marrë pjesë fizikisht në protestat qytetare që po zhvillohen prej ditësh në Tiranë.

Gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët, Berisha theksoi se protestat kanë karakter qytetar dhe shkojnë përtej përkatësive politike, ndaj sipas tij, prania e drejtuesve politikë mund të ndryshonte natyrën e tyre.

“Ajo protestë është tej partive politike. Natyrshëm aty do të ketë slogane që disa mund t’i pëlqejnë dhe të tjerë jo, por ato nuk duhet të errësojnë misionin e saj,” u shpreh ai.

Berisha tha se ka zgjedhur të mos jetë i pranishëm në protestë për të ruajtur atë që e cilësoi si “fibrën qytetare” të lëvizjes, duke shtuar se edhe anëtarët e Partisë Demokratike janë inkurajuar të marrin pjesë si qytetarë dhe jo si përfaqësues politikë.

Prania ime aty do të dëmtonte fibrën më të fuqishme të protestës, fibrën qytetare,” deklaroi kreu i opozitës.

Duke komentuar zhvillimet politike në vend, Berisha vlerësoi angazhimin e të rinjve në protesta dhe përsëriti qëndrimin e tij për nevojën e krijimit të një qeverie kujdestare, e cila sipas tij do të garantonte zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

I pyetur për mundësinë e një vizite në SHBA, Berisha konfirmoi se synon të udhëtojë drejt Shteteve të Bashkuara.

“Do të shkoj në SHBA për të takuar miqtë,” u shpreh ai, pa dhënë detaje të mëtejshme mbi kohën apo axhendën e vizitës.

Deklaratat e kreut të PD-së vijnë në një moment kur protestat e nisura për çështje mjedisore dhe pronësie kanë marrë përmasa më të gjera politike dhe shoqërore, duke nxitur debate mbi rolin e forcave politike në organizimin dhe mbështetjen e tyre.

Përplasja me Ramën e bëri virale/ Gazetarja e Top Channel fiton 10 mijë ndjekës në pak orë

Gazetarja e Top Channel, Sidorela Gjoni, është kthyer në një nga figurat më të komentuara në rrjetet sociale gjatë 24 orëve të fundit, pas një përballjeje të drejtpërdrejtë dhe të tensionuar me kryeministrin Edi Rama në emisionin “Shqipëria Live”. Momenti ka tërhequr vëmendjen e publikut dhe është shpërndarë gjerësisht në platforma të ndryshme sociale, duke nxitur debate dhe reagime të shumta.

Kryeministri Rama ishte i ftuar në një lidhje virtuale për të diskutuar mbi zhvillimet e fundit që lidhen me projektin e investimit të Jared Kushner në zonën e Zvërnecit dhe ishullit të Sazanit.

Ky projekt ka qenë në qendër të vëmendjes publike javët e fundit, duke shkaktuar diskutime të forta politike dhe protesta në Tiranë, për shkak të ndikimit që mund të ketë në mjedis dhe në pasuritë publike të vendit.

Megjithatë, gjatë intervistës, fokusi i publikut u zhvendos nga tema kryesore e debatit te shkëmbimi i fortë i replikave mes kryeministrit dhe gazetares. Rama i kërkoi Sidorela Gjonit të kërkonte falje publikisht për një deklaratë të bërë më herët, ku ajo ishte shprehur se Ivanka Trump kishte marrë ishullin e Sazanit.

Kryeministri e cilësoi këtë deklaratë si dezinformim dhe këmbënguli se ajo duhej të korrigjohej.

Por gazetarja reagoi menjëherë, duke refuzuar kërkesën për falje.

Në përgjigjen e saj, ajo theksoi se nuk kishte arsye të kërkonte ndjesë dhe se përgjegjësia për t’u kërkuar falje qytetarëve i takon dikujt që ka qeverisur vendin për më shumë se një dekadë. “Falje duhet t’i kërkojë dikush që ka 13-14 vite në pushtet dhe u thotë qytetarëve se i duhet ende kohë për të siguruar ujë dhe drita 24 orë”, deklaroi ajo.

Kjo deklaratë u bë menjëherë virale, duke u shpërndarë me shpejtësi në rrjetet sociale dhe duke gjeneruar mijëra komente. Shumë qytetarë dhe përdorues të internetit e përgëzuan gazetaren për qëndrimin e saj, duke e cilësuar si një shembull të gazetarisë së guximshme dhe të pavarur.

Mbështetja ndaj saj u reflektua edhe në rrjetet sociale.

Sipas të dhënave të publikuara nga “Lokimagazine”, Sidorela Gjoni fitoi rreth 10 mijë ndjekës të rinj në Instagram brenda vetëm pak orësh pas transmetimit të intervistës. Numri i ndjekësve të saj u rrit nga rreth 32 mijë në mbi 42 mijë, duke treguar interesin dhe mbështetjen e madhe që mori nga publiku pas këtij momenti televiziv./Lokimagazine

Zbulohet kryeorganizatori i protestave…

Fejton nga Thoma Gëllçi

Në Kryeministri është dhënë alarmi. Problemi nuk është protesta. Problemi është se askush nuk po gjen organizatorin.

Në Shqipëri as kafja e mëngjesit nuk pihet dot pa një organizator. Çdo gjë, që nga dasmat e deri te tenderat, e ka një organizator, e jo të mos e ketë një protestë me dhjetëra mijëra njerëz!

Shërbimet sekrete, patronazhistët, ekspertët dhe analistët hidhen në kërkim.

Duke zbatuar porositë e kryeministrit, rezultatet ishin mbresëlënëse. Njëri grup zbulon se prapa protestave qëndrojnë monarko-fashistët grekë. Një tjetër Serbinë. Disa gjejnë Iranin. Të tjerë arrijnë në përfundimin se iranianët manipulohen nga grekët dhe një grup tjetër që grekët manipulohen nga iranianët. Partia kryesore opozitare zbuloi Sorosin.

Një këshilltar i kryeministrit tha se turma ishte mbledhur se priste që t’i këputej lidhësja e bikinit një vajze që poston video në TikTok. Ndërsa një komentator televiziv që ka ardhur në ndihmë nga Kosova flet për një organizatë aq sekrete, sa nuk ekziston asnjë provë që ajo ekziston. Analisti i gjyshes veneciane tha se të gjithë shqiptarët ishin antishqiptarë.

Por të gjitha teoritë kishin edhe kundërteoritë dhe asnjëra nuk po fitonte terren. Kryeministri ishte i shqetësuar, por edhe i inatosur. Këshilltarët e frikësuar ulnin kokat dhe ecnin në heshtje nëpër korridore.

Por protestat vazhdojnë.

Madje shtohen.

Thirret një mbledhje e gjerë. Përveç shërbimeve sekrete të shtetit, marrin pjesë edhe shërbimet sekrete dhe policitë private që morën pjesë në shuarjen e kryengritjes së Zvërnecit dhe të Rrjollit, kamerat e Qytetit të Sigurt të Emirateve, dy këshilltarë të dy vëllezërve sirianë që paraqiten nga Katari, kryeshitësi i pallateve të Alabarit nga Durrësi dhe shumë të tjerë.

Heshtje. Dukej sikur po merrnin pjesë në një funeral.

Kur të gjithë, shpresëhumbur, po mendonin se nuk do ta gjenin dot shkaktarin e protestive, një këshilltar i ri tha me zë të mekur:
— Po sikur të pyesim Diellën?
Në sallë u ndje një mërmëritje.

Diella, Ministrja e Inteligjencës Artificiale, krenaria teknologjike e AKSHI-t të kryeministrit, ishte mjeti i duhur për këtë gjë. Si nuk u kishte shkuar në mendje më parë? Sipas broshurave zyrtare, ajo analizon miliarda të dhëna, zbulon lidhje të fshehta dhe arrin në përfundime që mendja njerëzore nuk i arrin dot.

U tha, u bë. U vendos!

Gjithçka përfundoi në serverët e saj: raportet e policisë, raportet e shërbimeve sekrete, shënimet e patronazhistëve, postimet në Facebook, komentet në TikTok, debatet televizive, deklaratat politike dhe premtimet elektorale, kujtimet e rojeve private.

U futën tenderat e rrugëve, lejet e ndërtimit, planet urbanistike të Palasës, kontratat koncesionare, PPP-të, dosja e plotë e inceneratorëve, seancat e parlamentit, fjalimet e Berishës, Flamurit, Taulantit, intervistat e Blendi Klosit, fjalimet e Zegjinesë. Gjithçka.

Për tri ditë e tri net algoritmet punuan pa pushim.

Në ditën e katërt mbërrin njoftimi:
ANALIZA PËRFUNDOI.
Ministrat, drejtorët, këshilltarët dhe vetë kryeministri mblidhen para ekranit gjigant.
Dritat fiken.
Shfaqet raporti:

JANË ANALIZUAR 48 MILIARDË TË DHËNA.
ËSHTË IDENTIFIKUAR SUBJEKTI ME NDIKIMIN MË TË MADH NË KRIJIMIN E PAKËNAQËSISË PUBLIKE DHE MOBILIZIMIN E QYTETARËVE. ËSHTË INTERESANTE QË AS AI VETË NUK E DI QË ËSHTË KOKA E PROTESTAVE.

Salla ngrin. Ua, çfarë konspiracioni! Prandaj nuk po e gjenin dot. Shkaktari i protestave ishte aq sekret, sa edhe vetë shkaktari nuk e dinte që ishte ai shkaku.

Kush të ishte vallë?

Ekrani mbetet bosh për disa sekonda.

Më pas shfaqet mesazhi i fundit:
SHKAKTARI KRYESOR I PROTESTAVE U IDENTIFIKUA ME SAKTËSI 99.9 PËR QIND.

Në sallë u vendos heshtje e thellë.
Ngadalë në ekran fillon të formohet fotografia.
Pastaj emri.
Të gjithë e shohin.
Në ekran ndriçon fotografia e kryeministrit.
Poshtë saj shkruhet:

EDI RAMA

Askush nuk flet. Vetëm Diella shton me zërin e saj të butë, të shoqëruar me titra poshtë fotos:

“Sipas analizës statistikore, ky subjekt ka kontribuar më shumë se çdo individ, organizatë, fuqi e brendshme apo e jashtme, në krijimin e kushteve që kanë sjellë protestën.”

Heshtjen e rëndë të sallës e prishi zëri i Edi Ramës:
— Hiqjani prizën!

Korçë/ 29-vjeçari paraqitet me plagë në spital, denoncon: “Më dh*noi policia greke

Maldin Maxhari, një 29 vjeçar nga Maliqi, është dhunuar barbarisht nga Policia greke gjatë qëndrimit në vendin fqinj, pasi fillimisht është ndaluar si person i kërkuar për një vepër penale, por më vonë ka rezultuar se ai ishte i pafajshëm.

I riu është ndaluar nga policia greke në Kalkidhë rreth 13 ditë më parë, pasi është ngatërruar me një person tjetër.

Maldin Maxhari pretendon se është rrahur dhe këtë e dëshmojnë shenjat në trup.

29 vjeçka bërë kallëzim në policinë greke, kur është zbuluar se ishte i pafajshëm dhe personi që kërkohej nuk ishte, por në vend që t’i ofrohej ndihmë dhe trajtim mjekësor, ai është dëbuar nga shteti fqinj dhe është kthyer në Maliq,

Për shkak të dëmtimeve, Maldin Maxhari ka shkuar në Spitalin e Korçës ku po merr ndihmën mjekësore dhe dyshohet se ka dëmtime në brinjë dhe në shpretkë.

Ai u është drejtuar dhe shërbimeve të Policisë së Korçës, të cilat kanë marrë deklarimet e 29 vjeçarit dhe më tej pritet të vendoset se çfarë procedurash do të ndiqen për rastin, pasi ngjarja ka ndodhur në Greqi.

Klosi: “Nuk shoh asnjë arsye pse qeveria të japë dorëheqjen

Blendi Klosi, sekretar i Përgjithshëm i PS-së, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, u shpreh se në protestë po hidhen ide simpatike, meme, pankarta dhe aty janë familjarë me fëmijë që rrinë në shesh disa orë.

Klosi shtoi se nuk ka arsye pse qeveria të dorëhiqet, ndërkohë që tha se deri tani, si zëdhënës të protestës janë shfaqur krerët e partive të vogla. 

“Është situatë paqësore, asnjë incident, asnjë sforcim nga pikëpamja e rendit publik. Është protestë pa asnjë tension. Pastaj numri, kërkesat dhe zëdhënësit e protestës do të priten për ta parë.

Deri tani kanë dalë përfaqësuesit e partive të vogla, që morën rezultat të vogël në vota dhe mbështetje popullore. Parafolësi tha qeveria të japë dorëheqjen. Nuk e gjej arsyen pse ta japë dorëheqjen. Nuk është Zvërneci e njëjta paralele me Novi Sadin, ku u vranë njerëz. Shkaku pothuajse të gjithë bien dakord që investimi i shërben turizmit shqiptar, ka një lloj analize çfarë po ndodh, sa i shërben turizmit dhe sa i shërben ky debat. Nuk them kush është kërkesa e vërtetë e protestuesve.

Shohim kudo në Evropë protesta, Francën, Greqi dhe kudo, ka kërkesa që negociohen, nuk ka dorëheqje të qeverisë.

E vetmja kërkesë është të vijojë protesta e qetë. Ndihen të qetë, dalin me familjarë, fëmijët, rrinë disa orë në shesh. Bëjnë protestë paqësore që ka edhe pjesën e meme-ve, pankartave, ideve simpatike në protestë.

Nuk kemi një kërkesë specifike.

Të vetmit zëdhënës të protestës, janë disa përfaqësues të partive të reja që duan të marrin forcë nga protesta. Sa kohë nuk kemi një kërkesë specifike, mendoj se kemi akoma kohë për të pritur dhe për të parë se çfarë kërkojnë.

Për Zvërnecin është krijuar bindje se kur projekti të vijë, për t’u diskutuar edhe nga pikëpamja mjedisore, kemi konsensus, që investimi i bën mirë Shqipërinë”, tha Klosi.

Rama: “Shqipërinë e kam amanet të shenjtë, nuk është në shitje, ata më besuan rrugën drejt BE-së

Kryeministri Edi Rama, në fjalën e tij në takimin e 35-vjetorit të PS-së, gjeti rastin të ndajë edhe një mesazh për protestuesit. Sipas kreut të qeverisë, Shqipëria nuk ka qenë kurrë për shitje dhe as flamuri duke iu referuar thirrjeve disaditore ndaj tij nga qytetarët.

“Shqiptarët më kanë besuar udhëheqjen e tyre drejt asaj maje të Bashkimit Europian. Shqipëria nuk ka qenë kurrë për shitje.

Ky vend nuk ka qenë kurrë më një krijesë e kërrusur para askujt.

Flamuri i ngritur në Vlorë nga plaku i Pavarësisë, nuk ka qenë më kurrë çarçaf patriotizmi të shtirur, as si tortë për t’u ofruar përtej reformave shtetformuese. Për mua, Shqipëria është një amanet i shenjtë, në sytë, mendjen dhe zemrën time”,-u shpreh Rama.