Sot bëhen 89 vjet prej kur u nda nga jeta publicisti dhe luftëtari i lirisë Mihal Grameno

 

Sot përkujtohet 89-vjetori i ndarjes nga jeta të atdhetarit të shquar Mihal Grameno (1871- 1931). Mihal Grameno është një ndër figurat e atdhetarizmit shqiptar, publicist, shkrimtar dhe veprimtar i lëvizjes patriotike e demokratike.

Mihal Grameno lindi në 13 Janar të vitit 1871 në Korçë. Mësimet e para i mori në qytetin e lindjes. Në moshë të re emigroi në Bukuresht të Rumanisë, ku u lidh me shoqërinë patriotike shqiptare “Drita”, njoftoi Muzeu Kombëtar.

 Mihal Grameno

Në vitet 1907-1908 iu bashkua çetës së Çerçiz Topullit dhe së bashku me luftëtarët e çetës kombëtare luftuan në Shqipërinë e Jugut për çlirimin kombëtar. Në vitin 1909 mori pjesë në Kongresin e Manastirit.

Gjatë viteve 1915-1919 jetoi në Amerikë, punoi për lëvizjen e atdhetarëve shqiptarë të atjeshëm. Më pas vazhdoi veprimtarinë si publicist duke mbrojtur idealet demokratike.

Më 1912, Grameno ishte ndër atdhetaret që ngritën flamurin në Vlorë. Pas këtij viti ai vazhdoi punën e palodhur kundër armiqve të ndryshëm që përpiqeshin t’i bëjnë varrin shtetit shqiptar, veçanërisht kundër klerit grek e grekomanëve. Si tregimtar, Grameno është nga të parët që punoi në njëren nga gjinitë e gjata të prozës, novelën.

Busti Mihal Grameno,Korçë

Grameno shkroi disa këngë Patriotike :

Për mëmëdhenë’’, ishte kënga e kryengritjes, ,,Ardhi dita’’, Lamtumirë’’, Vratë për liri’’ etj.

Mihal Grameno është një ndër novelistët e parë të letërsisë sonë. Kështu përmendim novelat e tij “Oxhaku” (1909), “E puthura” dhe “Varri i Pagëzimit”.

Në njëren nga novelat e tij , Varr’ i pagëzimit’’, (1909) ai kthehet edhe një herë në temën e luftës kundër shovenizmit grek dhe grekomanëve. Në këtë novelë dhe te E puthura’’, (1909) autori trajton edhe temën e pamundësisë së martesës në mes të njerëzve nga origjina të ndryshme shoqërore – të pasur e të varfër.

Ai shkroi dy veprat: komedinë “Mallkimi i gjuhës shqipe” (1905) dhe dramën historike “Vdekja e Pirros” (1906), të cilat trajtojnë tema patriotike. Gjithashtu, Mihal Grameno drejtoi gazetat “Lidhja orthodhokse” (1909-1910) dhe “Koha” (1911-1926). Vdiq në Korçë më 1931.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.