Skënderbeu nuk ka marrë vetëm lajmë të këqija nga UEFA. Këtë herë organizmi më i lartë europian i futbollit njofton korçarët se mund të nisin dhe të përdorin Bajram Jashanicën. Bëhet fjalë për ndeshjet miqësore, pasi dënimi i mbrojtësit për shkak të përdorimit të substancave të ndaluara po shkon drejt fundit.

Për të parë Jashanicën në fushë dhe të rikthyer, duhet të presim datën 22 shkurt. Pikërisht është kjo data që UEFA ka lënë për mbrojtësin në fjalë që mund të ndiejë aromën e fushës së blertë në një ndeshje zyrtare. Një kohë që kalon shpejt për Jashanicën, që ka pritur me padurim për të dhënë kontributin e tij si në kohët e vjetra.
Ky ishte një lehtësim më shumë për vetë lojtarin edhe për klubin bardhekuq që priste me çdo kusht që të rikthente në ekip si një forcë më shumë mbrojtësin në fjalë.

Tashmë Ilir Daja duket se do ketë një prapavijë më të fortë dhe më të kompletuar pas rikthimit të Jashanicës, i cili ishte një nga pikat e forta të Skënderbeut në vitet e fundit. Kujtojmë se Bajram Jashanica rezultoi pozitiv në testin e antidopingut të zhvilluar menjëherë pas ndeshjes Skënderbeu-Jang Bojs zhvilluar në “Elbasan Arena”. Dënimi për të mori formën e prerë më 4 prill të 2018-ës.
ZGJEDHJET
Deri në rikthimin e Jashanicës në ekip, duket se Skënderbeu dhe trajneri Ilir Daja do të vijojnë që të sakrifikojnë Bruno Ditën si mbrojtës qendre së bashku me Pollozhanin. Gjithsesi, ky repart duket më i kompletuar pas afrimit të Eni Imamit në skuadër edhe për vetë faktin se tiranasi mbulon disa pozicione si në linjën e majtë, ashtu edhe në qendër të mbrojtjes. Me afrimin e Imamit do t’i jepet mundësi pushimi edhe Jorgo Pëllumbit, që në ndeshjet e fundit të 2019-ës ka luajtur, duke shtrënguar dhëmbët për shkak të një problemi te muskujt e barkut.


