Dëshira e shqiptarëve për të ikur nuk ndalet. Krahas atyre që po kërkojnë të largohen përmes kontratave të punës, kryesisht në Gjermani, i lartë mbetet dhe numri i azilkërkuesve, ndonëse Shqipëria është një vend në paqe dhe që nuk konsiderohet si vend i rrezikshëm, ndryshe nga shtete të tjera si Siria e Afganistani, që shihen më me përparësi nga BE, pasi ikin nga kriza dhe lufta.
Të dhënat e Zyrës Europiane të Azilantëve (EASO) bënë të ditur se në vitin 2019, aplikimet për azil nga Shqipëria ishin 22.9 mijë, me një rritje të lehtë prej 2% në raport me vitin e mëparshëm, duke iu kthyer tendencës rritëse pas katër vitesh radhazi kur numri i azilantëve po vinte në rënie.

Rreth 88% e aplikimeve ishin për herë të parë, kurse pjesa tjetër ishin aplikime të përsëritura. Numri më i lartë i kërkesave për azil ishte në mars, shtator dhe tetor, kur i kaloi 2 mijë në muaj.
Shqipëria renditet në listën e 10 vendeve që kanë nivelin më të lartë të kërkesave për azil së bashku me shtete të tilla si Siria, Afganistani, Venezuela, Pakistani, Turqia, Nigeria, Irani shkruan Monitor.
Për t’u bërë pjesë e grupit "KorcaBlog.com" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
