Transmetuesi publik Zviceran SRF njoftoi sot se artisti me nofkën Gjon’s Tears është zgjedhur të përfaqësojë shtetin helvetik në “Eurovision 2020” me këngën “Répondez-moi”. Ai do të performojnë në gjysmëfinalen e dytë më 14 maj.
Gjon’s Tears, emri i vërtetë i të cilit është Gjon Muharremaj është këngëtar me prejardhje shqiptare. Babai i tij është nga Kosova, gjersa mamaja e tij nga Shqipëria.
Kjo është hera e parë në historinë e shtetit zviceran në “Eurovision”, që përfaqësohet nga një këngëtar me prejardhje shqiptare.

Pas më shumë se 10 vjetësh, Zvicra ka zgjedhur një këngë franceze për konkursin e këngëve në “Eurovision”. Muzikanti 21-vjeçar Gjon, me këngën e tij “Répondez-moi”, u zgjodh nga një panel i 100 anëtarëve të audiencës dhe një juri ndërkombëtare që përfshin 20 ekspertë të muzikës pasi paraqiti këngën e tij në një thirrje të hapur për hyrje në këtë garë. Paneli dhe juria secili mbartnin nga 50 për qind të vendimit, shkruan Eurovision.Tv.
Tema e këngës është shumë personale për këngëtarin shqiptar dhe është gjithashtu universale dhe flet për të gjithë. Gjon thotë për këngën e tij: “Të gjithë pyesin veten pse ne jemi saktësisht këtu, nga vijmë dhe ku po shkojmë. Këto janë pyetje kryesore, veçanërisht për njerëzit me prejardhje migrante. Prindërit e mi janë nga Shqipëria dhe Kosova. Jam rritur në Zvicër dhe është shtëpia ime, këto janë pyetje për të cilat mendoj shumë”.

Gjon Muharremaj, ia ka kushtuar zemrën dhe shpirtin e tij muzikës që kur ishte fëmijë. Ai e përloti gjyshin e tij me interpretimin që i bëri këngës “Can’t Help Falling in Love” së Elvis Presleyt si një nëntë vjeçar. Nofka e artistit rrjedh edhe nga kjo përvojë: “Gjon Tears (Lotët e Gjonit)”. “Pavarësisht nga gëzimi, trishtimi apo melankolia – Unë dua t’i prek njerëzit me muzikën time në çdo mënyrë të mundshme”, thotë këngëtari tani 21-vjeçar.
Gjyshi i Gjonit, i cili ka rrënjët shqiptare, u zhvendos e regjistroi nipin e tij në konkursin e talenteve “Albanian Got’s Talent” në vitin 2010. 12-vjeçari i atëhershëm doli i treti në konkurs. Një vit më vonë, ai arriti në gjysmëfinale në ekuivalentin zviceran të “Got’s Talent” të Zvicrës dhe arriti në gjysmëfinalen e “The Voice of France” në vitin 2019.
“Eurovision është ngjarja më e madhe muzikore dhe është e madhe për një artist të jetë pjesë e saj. E vërtetë për sloganin e këtij viti – “Open Up (Hapeni)” – Unë jam plotësisht i hapur për këtë aventurë unike dhe mezi pres gjithçka që vjen me të”, thotë ai.
Ai vazhdon: “Dua të jap gjithçka që kam në Garën e Eurovizionit dhe dua të krenohem me atë se kush jam, nga kam ardhur dhe atë që kam arritur. Unë dua të frymëzoj njerëzit që të ndjekin rrugën e tyre me këngën time ‘Répondez-moi’”, thotë artisti shqiptar.
Çfarë mesazhi transmeton klipi i këngës?
Ekipi i realizimit të klipit të këngës “Répondez-moi” donin ta bënin Gjonin të ngjallte emocione: Gjon dëshironte të krijonte botën e tij të kujtimeve, ëndrrave dhe realitetit. Për këtë, Gjoni mori frymëzim nga regjisori i shumë prej filmave të tij të preferuar, Andrei Tarkovsky. Nuk ishte një sfidë e lehtë për artistin 21-vjeçar: “Xhirimet ishin më të vështira sesa pritej sepse ne donim të përdornim elementë të vërtetë për të krijuar shi, dëborë dhe zjarr”, tha ai. “Për të kontrolluar zjarrin në skenën e luftës, kemi djegur tetë perde me siguri.”
