Kanë kaluar saktësisht 65 vite nga ai 2 prill 1955, në të cilën 16 federata europiane u takuan në hotel Ambasador të Parisit për të diskutuar në mënyrë jo zyrtare, madje gati sekrete, por të konfirmuar dhe të mësuar zyrtarisht më datë 3 prill 1955, idenë dhe turneun e ri që do të lindte dhe do të ndryshonte masivisht dhe përfundimisht historinë e futbollit.

Dhe nëse sot e kësaj dite flasim për Champions Ligën si turneun ndërkombëtar më të rëndësishëm të klubeve jo vetëm në Europë por edhe në botë, si në nivel skuadrash pjesëmarrëse ashtu sikurse për atë të arkëtimeve të rëndësishme financiare, duhet falënderuar një njeri i vetëm. Ideja gjeniale i përkiste ish-futbollistit Gabriel Hano, në atë periudhë redaktor i prestigjiozes “L’Equipe”.

Hano nuk doli nga hiçi dhe nuk ishte i ri lidhur me idetë revolucionare të sportit më të bukur të botës. Në vitet 30 ishte mes të parëve autorë dhe kontribues të krijimit të Kupës Latine, turne i cili shihte protagonist skuadra nga Italia, Spanja, Franca e Portugalia.
Ndërkohë, vendimi për të zgjeruar horizontet dhe krijimin e një turneu kontinental u studiua dhe u vlerësua mes viteve ’54 e ’55, pasi nuk e kapërdiu aspak përshkrimin si “Kampionë bote” të Uolverhemptonit nga kolegët gazetarë anglezë të “Daily Mail”-it (pas fitores së Uolvesit ndaj mitikëve të Honvedit të udhëhequr në fushë nga Ferenc Pushkash).

Këtij pseudonimi të përdorur, Hano iu përgjigj nëpërmjet kolonave të gazetës ku punonte: “Jo, Uolves nuk është kampion bote” dhe në rreshtat pasues të të njëjtit shkrim hodhi dhe nisi të përshkruajë idenë e një turneu të denjë që mund të justifikonte një tog fjalësh aq të fortë dhe të rëndësishëm sa ai i lëshuar pa shumë përgjegjësi nga ana e “Daily Mail”-it dhe gazetarëve të tyre.
Dhe Hano e kishte shumë seriozisht me fjalët e përdorura në shkrimin e tij kundërsulmues, aq sa më 2 mars 1955, ai vrapoi për të qenë i pranishëm dhe pa frikë në Asamblenë e UEFA-s, duke prezantuar propozimin e tij. Ideja ishte revolucionare për epokën, jo vetëm për spërndarjen gjeografike, por edhe për faturimet ekonomike që priteshin të sillnin që në atë periudhë të drejtat televizive.

Por përgjigja e ardhur nga UEFA dhe FIFA ishte e akullt, negative, pasi dy institucionet më të rëndësishme të futbollit në glob kishin prioritet kombëtaret dhe jo klubet në vitet në fjalë, ndonëse disa drejtues të lartë të UEFA-s mbeten të mahnitur nga ideja e Hanosë.
Mbështetësit më të mëdhenj të Champions-it që të gjithë njohim sot ishin Gustavo Sebes, i ashtuquajtur babai i Hungarisë së Madhe dhe Santiago Bernabeu, presidenti legjendar i Realit të Madridit. Dhe pikërisht influenca e madhe që dy drejtuesit në fjalë kishin në pjesën tjetër të bordeve të UEFA-s dhe FIFA-s çoi kështu në takimin informal, por kokë më kokë të 2 prillit 1955, i cili rezultoi shumë pozitiv, ndërsa lajmi u konfirmua zyrtarisht edhe për sportdashësit ditën pasardhëse, atë të 3 prillit, pikërisht në faqet e “L’Equipe”, ku punonte pikërisht Gabriel Hano, i cili pati edhe ekskluzivitetin e lajmit.

Përfaqësueset e shteteve ishin 16, ku pjesa më e madhe e klubeve, si në rastin e Milanit për Italinë, ishin kampionet në fuqi të ligave të ftuara. Komiteti drejtues shihte si president francezin Ernest Bedrignans, por ishin Bernabeu dhe Sebes, të nominuar si zëvendëspresidentë të këtij komiteti, ata që e thurrën rrjetën e rregullave dhe faturimeve financiare të turneut që do të lindte.
Të gjithë ishin dakord mbi benefitet, sidomos ato ekonomike, përballë të cilave UEFA dhe FIFA nuk mundën të bënin asgjë, por të pranonin entuziazmin e tri drejtuesve të rëndësishëm të komitetit, ndonëse me kushtin e vetëm që ky turne të mbikqyrej nga UEFA dhe mbi të gjitha të mos pengonte kalendarët e kampionateve të ndryshme europiane. Dhe me t’u aprovuar vendimi, u vendos që ky kompeticion i ri të quhej “Kupa e Kampionëve për Klube”, ndonëse në disa vende të ndryshme quhej thjesht “Kupa Europiane”.

Turneu i studiuar nga Hano nuk ndryshoi më emër deri në revolucionin e pësuar në vitin 1992, kur UEFA vendosi që jo vetëm t’i ndryshojë formatin, por edhe emrin duke e quajtur “Champions League”. Kupa e Kampionëve bëri debutimin e saj më 4 shtator 1955, ku ndeshja e parë e vënë në skenë ishte dueli i vajtjes mes Sportingut të Lisbonës dhe Partizanit të Beogradit, në stadiumin “Nacional” të Lisbonës, përpara 30 mijë të pranishmëve, një takim që dhuroi 6 gola, por asnjë fitues në barazimin 3-3.
Milani, që përfaqësonte Italinë në sezonin e parë të Champions-it, kaloi në turin e parë Sarbrukenin dhe në çerekfinale Rapidin e Vjenës, përpara se të dorëzohej përballë Realit të Madridit, në dopio sfidën gjysmëfinale të turneut. Dhe ishin pikërisht madrilenët e Realit ata që e ngritën në qiell trofeun e parë. Madje e dominuan për 5 vite me radhë Champions-in.
Finalja e parë e kompeticionit të ri ishte një oqean me emocione, teksa Reali fillimisht barazonte në 2-2 disavantazhin fillestar 0-2, ndërsa në fund përmbyste nga 2-3 në 4-3 skuadrën fantastike franceze të Stade Reimsit. Një kuriozitet: në mbledhjen e parë të 2 prillit rezultoi e kotë prezenca e Çelsit: Federata angleze kishte snobuar idenë e këtij turneu të ri, por në të njëjtën kohë dha urdhër të prerë se asnjë prej klubeve nën varësinë e saj nuk duhej të merrte pjesë në Champions Ligë.

Gjithsesi, duke parë suksesin ndërkombëtar të kompeticionit më të ri futbollistik, sezonin e ardhshëm ato vendosën që të hapin kufijtë dhe të dërgojnë klubet e tyre, pasi u detyruan që të kërkojnë sigurisht falje publike. Në edicionion e parë për ta, Anglia u përfaqësue nga Mançester Junajtid, ndërkohë që Çelsi, i cili mund të kishte bërë debutimin e tij në këtë turne që në vitin 1955, e shijoi muzikën e Champions-it vetëm 44 vite më vonë, konkretisht në 1999-ën.
Po me Hanonë çu bë? Mendja e artë që bëri të mundur sjelljen në jetë të Ligës së Kampioneve, jo vetëm që nuk reshti me aktivitetin e tij gazetaresk, por pak muaj pas idesë së Champions-it pati një tjetër intuit gjeniale, madhështore dhe pa dyshim historike: ndërsa u transferua në redaksinë e sportives tjetër transalpine, “France Football”, Hano propozoi që edhe ideimin e “Topit të Artë”, çmimit individual shumë të lakmuar në të gjithë botën e futbollit, i cili ka mbetur i tillë edhe në ditët e sotme. Por me Champions-in dhe “Topin e Artë” i përjetshëm do të mbetet gjithmonë emri i gazetarit revolucionar, Gabriel Hanosë!Panorama Sport
