Shpërthim i fuqishëm në Brryli/ 3 të plagosur, shembet godina pranë karburantit

Një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur mëngjesin e sotëm në një pikë karburanti në zonën e Brrylit, në Tiranë. Sipas Policisë, dyshohet se një bombul gazi ka shpërthyer në momentin kur po furnizohej me karburant një automjet. Si pasojë, tre punonjës të karburantit janë dëmtuar dhe janë transportuar në spital.

Shpërthimi ka shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale, ndërsa një godinë njëkatëshe pranë pikës së karburantit është shembur.

Ngjarja ka shkaktuar panik edhe te banorët e zonës, ndërsa në vendngjarje kanë mbërritur policia, zjarrfikësit dhe shërbimet e emergjencës.

Tre të plagosurit janë dërguar në Spitalin e Traumës. Sipas informacionit të fundit nga spitali, gjendja e tyre shëndetësore është e stabilizuar dhe ata ndodhen nën kujdesin e mjekëve.

Ndërkohë, grupi hetimor vijon punën për të zbardhur rrethanat dhe shkakun e saktë të shpërthimit.