Trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja, foli në konferencën e zakonshme për shtyp, para supersfidës ndaj Tiranës që do të zhvillohet ditën e nesërme ndaj Tiranës në orën 20:00. Tekniku i skuadrës korccare u shpreh optimist për këtë sfidë, ndërkohë që nuk nguroi të përmendte edhe sfidat ndaj Bylisit,ku theksoi se me Kupën humbën një mundësi të artë për të kapur Europën dhe tashme korçarët të vetmen mënyrë për të qenë në zonën “euro” kanë kampionatin. Në garë për një nga tri vendet e para të renditjes, Skënderbeu do duhet që të djersijë shumë për ta bërë realitet objektivin e vendosur nga klubi.
Ilir Daja u shpreh :

“Është një ndeshje si të gjithë ndeshjet e tjera, pra është ndeshja e javës. Luajmë me kryesuesit e kampionatit që kanë bërë një kampionat të mirë dhe kanë një kontingjent që thuajse çdo pozicion e ka të dubluar. Ka një favor më shumë se ne, sepse në mesjavë në ndeshjen e kthimit me Besëlidhjan ka përdorur formacionin e dytë.Vijnë nga një anë psikologjike goxha e mirë, por do të kenë përballë një Skënderbe që ka bërë mirë në kampionat, përveç humbjes në Ballsh që e dimë se si erdhi.
Duhet të rikthehemi në atë pozicion që ishim më përpara sepse në fund fare, në përballjet me Tiranën gjatë këtij kampionati i kemi pikët e barabarta, një fitore një humbje dhe një barazim.Po aq sa ka dhe Tirana me ne. Do të futemi në fushë duke kompesuar edhe mungesat që kemi. Kemi disa mungesa tepër të rëndësishme brenda formacionit bazë. Disa titullarë tonët nuk do të jenë nesër ndaj Tiranës. Pjesa tjetër e ka treguar që ka sakrifikuar me dëshirën dhe motivimin për të shkuar te fitorja.Të sigurtë janë mungesat e komplet linjës së krahut të djathtë që tani nuk mund ta përsërisim çdo ndeshje.
Deri në fund të kampionatit nuk do të jenë Meksi dhe Ndeki. Mungon Jashanica për arsye dëmtimi. U rikthye dje në stërvitje Pollozhani që do të jetë në pankinë. Jo vetëm si pozicion, por edhe si eksperiencë, mungesat janë të ndjeshme. Do të luftojmë me kontingjentin që kemi, për të bërë më të mirën dhe për të shkuar te fitorja.Janë dhe shumë ndeshje të tjera. Po të shikosh edhe kalendarin ka përballje direkte edhe këtë javë. Nëse bëjmë një hap pozitiv do të ndihemi më mirë për të parë rezultatet.

Duhet të futemi me mentalitetin fitues.Unë jam trajner i Skënderbeut nuk e di çfarë do të ndodhë me futbollistët. Tani i kam të gjithë në dispozicion dhe luftojnë për Skënderbeun. Dita në këtë ndeshje është kampion i skuadrës dhe do të japë maksimumin deri sa të mbarojë kampionati. Kur kam qenë trajner i Tiranës kam dashur të fitojë me çdo ekip, të njëjtën gjë dua edhe tani.
Eliminimi nuk ka lenë shenjë psikologjike. Analistët e panë që edhe goli që na çoi drejt s’kualifikimit, vinte nga një faull. Ishte karton i verdhë për lojtarin. Ne kishim në dispozicion 4 zëvendësime. Ana psikologjike nuk ka rënë, jemi eliminuar duke pasur shumë raste me një kundërshtar të fortë si Bylis.Nëse do të merremi me vendime teknike të arbitrave do bënim një dëm. Nuk duhet të krijojmë alibi për lojtarët. Arbitrat duhet të kenë kujdes në lojën e dhunshme. U pa që në ndeshjen e kthimit ekipi jonë mori 3 kartonë të verdhë. Nëse do të zbatohej rregullorja Bylisi do të ishte me më pakë se 7 lojtarë në fushë”, u shpreh Daja.

Për këtë trajneri Ilir Daja ka kërkuar nga skuadra e tij mobilizim maksimal për ndeshjet e mbetura të sezonit. Duke nisur nga kjo e fundjavës me Tiranën numri një i pankinës korçare ka kërkuar përqendrim maksimal dhe përgjegjshmëri nga të tijtë.Për këtë arsye tonet kanë qenë më tepër urdhëruese nga ana e trajnerit. “Nuk duhet që ta ulni kokën. Një eliminim i tillë mund t’i ndodhë çdo ekipi, pasi specifika e Kupës është e veçantë. Ajo që mua më bën të besoj shumë te forca jonë është grinta dhe dëshira që ju keni kur kërkoni të arrini sukses. Pikërisht kjo duhet të jetë pikënisja për ndeshjet e mbetura në kampionat. Jemi në vendin e katërt në klasifikim dhe gjithçka është ende e hapur për verdiket përfundimtare.
Kampionati është i vështirë dhe kalendari delikat. Por kjo nuk do të thotë se duhet të dorëzohemi. Le të vazhdojmë të gjithë të bashkuar të luajmë për këtë fanellë që i ka mbushur me lavdi të gjithë dhe ka bërë histori për futbollin shqiptar. Nuk ka rëndësi nëse e keni përjetuar apo e keni dëgjuar nga të tjerët. Le të jemi ne ata që ta çojmë sërish Skënderbeun atje ku i takon. Të ngrihemi psikologjikisht, vetëm kjo mjafton. Më pas gjithçka është në rregull”, u tha ndër të tjera trajneri bardhekuq lojtarëve.
