Ka përfunduar edhe java e 33-të e Kategorisë Superore. Skënderbeu duhet të priste minutën e 90-të për të festuar ndeshjen e fituar me shifrat 2-1 kundër Vllaznisë. Pas përfundimit të ndeshjeve, protagonistët kanë dhënë intervistat e tyre për “Supersport“.Në prononcimin për “Gol pas Goli”, tekniku i skuadrës korçare, veç të tjerash foli edhe për të ardhmen duke u shprehur:

“KY ËSHTË KAMPIONATI.Para 3 javësh ishim në vendin e 3-të dhe synonim të ngjiteshim edhe më tepër në tabelën e klasifikimit. Do përpiqemi që me këtë potencial që kemi të shkojmë aty ku duam. Shpresoj që duke qenë pragmatistë të luftojmë për më sipër. Duke shpresuar për një vendim pozitiv për Skënderbeun nga Gjykata Federale të marr vendimin e duhur për të ardhmen. Sot kishim një arbitër që të paktën shfaqi personalitet. Asnjë nga lojtarët nuk cënoi pjesën e lojës në fushë.
OSHILACIONET JANË PREZENTE. Nuk e parashikojmë dot gjendjen e ekipit mbas 3 muaj. Duke qenë pragmatistë të shpresojmë për më sipër.
ZËVENDËSIMI I SULMUESVE – Kemi bërë një ndeshje me 2 tabllo. Në pjesën e parë kemi qenë goxha mirë dhe mund t’i jepnim qetësi ekipit. Kemi bërë një pjesë të dytë, ku mund ta kishim humbur ndeshjes, si me Tiranën, për meritë të kundërshtarëve. I ndërrova, sepse lojtarët nuk po shfaqeshin më në fushën e lojës. Me ndihmën e fatit, morëm fitoren. Kjo nuk do të thotë që ndërrimet na çuan te fitorja. Nuk kemi freskinë e duhur, por të paktën nuk duhet të prishim ekuilibrat në fushë. Të shfrytëzojmë potencialin që kemi.
AKORD ME PARTIZANIN? Me gjithë konfidencat që kemi, unë jam trajner i Skënderbeut, nuk kam asnjë lloj komenti. Do presim me qetësi vendimin e Gjykatës Federale të Zvicrës për të parë çfarë do ndodhi me Dajën dhe lojtarin. Në respekt të qytetit dhe Skënderbeut, jam pjesë, të paktën deri në fund të kampionati do të përfaqësoj Skënderbeun.
EKIPI PAS 3 MUAJSH – Duke shpresuar në një vendim pozitiv për Skënderbeun, të marrim vendimin e duhur për të ardhmen. Si unë dhe të gjithë sportistët, të respektojmë këtë emblemë që i ka dhënë tonin kampionatit. Është e paparashikueshme çfarë do të ndodhë në muaj e ardhshme.
MUND TË VAZHDOJ ME SKËNDERBEUN,por duhet të shkoj paralel edhe me politikat e klubit. Nuk e heq mundësinë që edhe me një përgjigje negative nga Gjykata Federale nëse ka një projekt që mund ta gjej veten brenda mund të vazhdoj. Ndihem mirë dhe i respektuar këtu“ nga qyteti dhe nga presidenti Takaj. Respekt reciprok”, u shpreh Daja.
