Ekipi serb i Crvena Zvezdës ka mbërritur sot në Tiranë. Lojtarët dhe stafi, nën masa të rrepta sigurie i janë drejtuar hotelit ku do të qëndrojnë para ndeshjes së turit të dytë kualfikues, në Champions League, përballë Tiranës.
Tirana do të përballet me ekipin serb, pas kualifikimit që siguroi një javë më parë përballë Dinamos së Tbilis, me shpresë se mund të arrijë një tjetër kualifikim historik.
Ndeshja do të luhet të martën në mbrëmje, në stadiumin tonë kombëtar.
Delegacioni i skuadrës serbe përbëhet nga rreth 50 persona.
Për t’i paraprirë çdo incidenti si ai i vitit 2015 kur autobusi i kombëtares serbe të futbollit u godit me gurë nga një adoleshent, uniformat blu kishin angazhuar shërbime edhe në rrugët e kryeqytetit deri në mbërritjen në hotel ku po ashtu është planifikuar ruajtje gjatë gjithë kohës së qëndrimit.
Ndonëse në një stadium të boshatisur për shkak të pandemisë, masa të tjera sigurie janë ndërmarrë nga Policia e Tiranës ndërkohë që përplasjet në distancë mes tifozërive përmes rrjeteve sociale, nuk kanë munguar duke ndezur takimin mes serbëve dhe kampionëve të Shqipërisë.


