Këngëtarja e disa hiteve e cila ngjiti shpejt shkallët e suksesit në tregun ndërkombëtar, Ava Max emri i së cilës është Amanda Koçi ka dhënë intervistën e saj të parë për mediat shqiptare, me moderatoren e “Ditë e re” në RTV ORA, Arjola Shehu teksa flet edhe shqip.Ava foli për rrënjët e saj, ku pavarësisht se ajo ka lindur në USA, babain e ka nga Qeparoi dhe mamin nga Saranda.
Moderatorja Arjola Shehu e cila pati ekskluzivitetin të intervistonte Ava Max, e pyeti këtë të fundit për mbështetjen e familjes në karrierën e këngëtares:
Ava Max: Më kanë mbështetur shumë, pa ata unë nuk do të isha këtu ku jam sot. Ata shitën shtëpinë dhe u zhvendosën në Kaliforni. Është çmenduri, sepse ata u larguan nga Shqipëria në 1991 dhe jetuan në Francë, në një kishë për një vit rresht dhe më pas erdhën në Amerikë, ku linda dhe unë. Ata nuk e vrisnin mendjen, mblidhnin gjërat dhe niseshin për diku tjetër”- rrëfeu Ava Max.
Ajo tregoi se nuk e ka vizituar kurrë Shqipërinë, dhe këtë vit kishte planifikuar të vinte, por pandemia nuk e lejoi.

Ava tregoi edhe lidhjen e fortë me gjyshen e saj dhe kujtoi gatimet e preferuara të saj:
“Me të gjithë gjyshërit e mi kam pasur një lidhje shumë të fortë. Gjyshja që jetonte me mua, ndërroi jetë në 2011, ajo ishte nga Qeparoi. Unë u mërzita kur ajo ndërroi jetë. Kur prindërit e mi erdhën në Amerikë nuk dinin gjuhë, nuk kishin para dhe vërtet mundoheshin të na siguronin jetesën. Kështu që unë kaloja vërtetë shumë kohë me gjyshen time”- u shpreh ndër të tjera Ava në “Ditë e re”.

Ajo foli edhe për bashkëpunimin e shumëpritur me Dua Lipën, Bebe Rexhën dhe Rita Orën dhe tha se duhet të bëhet patjetër një këngë e përbashkët e tipit “Lady Marmalade”. Ava tha se me Duan nuk ka folur ende, por mezi pret ta takojë.
