Gazetari sqaron faktet: ETIAS nuk është rikthim vizash

Nga Endri Xhafo

The Electronic System for Travel Authorization (ESTA) është një sistem i automatizuar që përcakton kualifikimin e një vizitori për të udhëtuar pa vizë! Shtetet e Bashkuara të Amerikës e aplikojnë që prej vitit 2009 për të gjithë shtetasit e vendeve që përfitojnë nga Visa Waiver Program (VWP), pra udhëtimi pa viza për në SHBA (US ESTA nevojitet edhe për udhëtime në Guam, Puerto Rico dhe US Virgin Islands). Që prej vitit 2014 ESTA ka një kosto prej 14$ për person, lipset edhe për fëmijët pa dallim moshe, rekomandohet të aplikohet qysh para blerjes së biletës së avionit, por në çdo rast jo më vonë se 72h përpara udhëtimit, dhe pa të kompanitë ajrore nuk të bëjnë check-in. Ndërsa kur futesh në territor amerikan nga toka (Kanada & Meksikë) plotëson një formular letre.


ESTA ka vlefshmëri 2-vjeçare. Kush nuk ka nevojë për ESTA për të udhëtuar për në SHBA? Shtetasit e atyre vendeve që kanë nevojë për vizë, siç janë shqiptarët, e megjithatë, me vizë apo pa vizë (ESTA), të cilat autorizojnë udhëtimin, zyrtarisht asnjëra nuk autorizon futjen në territorin amerikan; këtë e vlerëson vetëm autoriteti doganor në port apo aeroport. Pra, teorikisht, edhe nëse je shqiptar me vizë apo anglez me ESTA, agjenti doganor amerikan në kufi mund të të refuzojë hyrjen në territorin amerikan.

Tani, këtë gjë që SHBA e bën që prej 2009-ës, BE ka përgatitur një raport në 2011-n për ta aplikuar edhe ajo në zonën Schengen. Sistemit ETIAS (European Travel Information and Authorization System) do t’i nënshtrohen si shqiptarët, edhe amerikanët. Pra ESTA europiane, me inicialet ETIAS, nuk është rikthim vizash, por një sistem i automatizuar që synon, sipas europianëve, të rrisë sigurinë e lëvizjes në hapësirën Schengen.

Jam habitur se si disa ish-funksionarë e shesin këtë si rikthim të vizave me Shqipërinë. Ose injoranca, ose pafytyrësia, sepse njëra nga të dyja është, nuk kanë brirë. Vendimi për rikthimin e vizave me Shqipërinë edhe mund të merret një ditë, inshallah jo, por këtë herë nuk është ky rasti.

Për t’u bërë pjesë e grupit "KorcaBlog.com" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.