Qeveria greke ka dorëzuar zyrtarisht në Parlament projektligjin për zgjerimin me 12 milje në Detin Jon. Lajmin e konfirmon zyrtarisht zëdhënësi i qeverisë, Kristos Tarantilis, i cili thekson se ky projektligj do të shqyrtohet nesër në Komisionin për Punë të Jashtme dhe Mbrojtjen.Ky veprim i palës greke ka shkaktuar një debat shumë të madh edhe në Shqipëri, në një kohë kur të dy vendet do të shkojnë në Gjykatën e Hagës për mosmarrëveshjen mbi cështjen e Zonës Ekskluzive Ekonomike dhe sheflit kontinental në Detin Jon.
“Ky është një vendim historik i Greqisë, që zgjeron territorin e saj për herë të parë që nga viti 1947”, tha zëdhënësi i qeverisë greke, duke shtuar se neni 1, pika 2 e projektligjit nënvizon se Greqia rezervon të drejtën për ushtrimin e të drejtave të tij në pjesën tjetër të territorit.

