Është identifikuar autori i plagosjes me armë zjarri të ndodhur para pak çastesh në Tiranë te ‘Kompleksi Dinamo’. Mësohet se Klajdi Kodra pas një sherri që nisi për motive të dobëta, plagosi me armë zjarri shtetasin Reginaldo Kaçorri i cili është dërguar me urgjencë drejt spitalit të “Traumës” dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Por kush është Klajdi Kodra nga Laçi, një njeri me precedentë të mëparshëm penal dhe i përfshirë në plagosje dhe atentate të tjera.

31-vjeçari, Klajdi Kodra është djali i nënkampiones së qitjes Lindita Kodra, i cili u arrestua për atentatin e ndodhur në gusht 2017 tek Komuna e Parisit ku mbeti i plagosur 26-vjeçari Lorenc Hoxha, si një nga bashkëpunëtorët, bashkë me Dejvis Rrustemaj. Konflikti ndodhi për hasmëri.
Po ashtu emri i Kodrës del edhe në një plagosje të dyfishtë, të ndodhur në vitin 2010, në rrugën “Vasil Shanto”. Të plagosur në atë konflikt mbetën dy vëllezër, Klajdi dhe Roland Çeço, 25 dhe 27 vjeç.
Në vitin 2013, në zonën e Liqenit Artificial të Tiranës, Klajdi Kodra është qëlluar me plumb në këmbë, pas një konflikti të çastit.

Më datë 03.08.2016 në bashkëpunim me dy shtetas të tjerë, Kodra ka plagosur, duke e goditur në fytyrë dhe në pjesë të tjera të trupit me sende të forta shtetasin Flamur Cullhaj, 39 vjeç i dënuar më parë. Gjatë konfliktit pati edhe të shtëna me armë në ajër.
Ndërkohë ditën e sotme sipas policisë pas një konflikti të çastit Kodra ka qëlluar me armë zjarri, Reginaldo Kaçorrin, i cili ndodhet në Spitalin e Traumës jashtë rrezikut për jetën.
