Disa detaje të tjera janë bërë publike për bandën shqiptare të grabitësve në Mykonos. Mediat greke bëjnë me dije për mënyrën se si funksiononte kjo bandë e cila nga viti 2020 deri pak ditë më parë, vodhi 39 vila dhe 320 mijë euro sende me vlerë e para.
Sipas dëshmitarëve, anëtarët e bandës ditën shfaqeshin si një familje e mirë dhe shmangnin kontaktet me fqinjët për mos rënë në sy. Natën ishte koha e veprimit.Ata ecnin nëpër shtigje dhe rrugë të errëta ndërkohë që për të hyrë nëpër vila nuk zgjidhnin dyert, por dritaret e tualeteve.Me anë të kamerave termike, Policia e Mykonos ka zbuluar një prej veprimeve të dy prej anëtarëve të bandës teksa tentonin të hynin natën në një vilë. Ata dallohen për veprime shumë të shpejta dhe mashtruese.Mes sendeve të vjedhura nga shqiptarët kishte çanta apo ora Rolex, Louis Vuitton, Prada apo Channel. Policia regjistroi të gjitha bisedat e autorëve dhe të enjten e kaluar gjashtë burra dhe një grua të moshave 23, 25, 30, 32, 33, 34 dhe 35 u arrestuan.
Por, cfarë kodesh përdornin?
“Hajde shkojmë në punë”, “Do të shkojmë për kafe” ishte kodi kur anëtarët e grupit kriminal niseshin për të vjedhur. Autoritetet greke theksojnë se hajdutët futeshin si “minjtë” nga dritaret duke thyer xhamat, ndërsa në momentin që binte alarmi dhe mbërrinte policia, ata ishin zhdukur në errësirë pa lënë gjurmë.
