Kryeministri Edi Rama, i është drejtuar me fjalë të ashpra drejtorëve të rinj të policisë. Ai ka evidentuar si problematikë fenomenin e ryshfetit, duke kërkuar nga SHÇBA që të hetojë këta raste. Rama nënvizoi, se kjo nuk është paraqitje dinjitoze për një vend që aspiron të jetë në krye të turizmit në Ballkan. Ndër të tjera, kryeministri Edi Rama, u ndal te plagosja që ndodhi në një lokal të Sarandës. Kryeministri, theksoi se përgjegjësia në këtë rast ishte e Policisë së Shtetit, e shtoi, se me ministrin Çuçi ka diskutuar që kupola drejtuese e qytetit bregdetar të vendoset nën hetim.
Rama paralajmëroi një tjetër “furtunë” shkarkimesh në të gjitha drejtoritë e Policive, nga Patruallat e Rendit, tek frocat Shqiponja e deri tek policia Kufitare. “Prioriteti numër një është raporti me qytetarin, që kërkon që patrullat e rendit, forcat Shqiponja, Policia Rrugore dhe Policia Kufitare të hyjnë në një proces shkundjeje dhe lëvizjesh domethënëse brenda për brenda”, tha Rama.
“Policia e Shtetit është e respektuar prej disa vitesh si një institucion me besueshmëri të lartë. Cënimet etike, si dhe lëndimet e imazhit të saj nga rishfaqja kohët e fundit e rasteve të korrupsionit të vogël, sidomos te strukturat e policisë rrugore janë të patolerueshme. Dua të theksoj rolin e SHÇBA-së dhe ta nxis publikisht që të veprojë shumë më fort ndaj këtyre rasteve. Ne e kemi rritur edhe në harmoni me pritshmërinë e qytetarëve rolin ndëshkues të policit rrugor ndaj shkeljeve në rrugë.
Është e papranueshme që kjo, të shërbejë si një mundësi e re për të ushtruar presion mbi drejtuesit e automjeteve për qëllimin e neveritshëm të përfitimit të ryshfetit, është e pajustifikueshme që me gjithë rritjen e forcës ndëshkuese të policit rrugor, falë ndryshimeve të fundit të Kodit Rrugor, qytetarët të mos ndijnë ndryshim thelbësor në disiplinën e qarkullimit rrugor. Vetë strukturat e Policisë së Shtetit dhe të SHÇBA-së, kanë konstatuar që problematikat e qytetarëve nuk trajtohen me përgjegjësinë e duhur dhe kohën e duhur.
Sot, ku ne jemi tanimë në sezon turistik, e numri i lartë i pushuesve është domethënës, të kemi policinë e qytetit përmes individësh të padenjë, që i shkojnë kundra detyrimit të të gjithëve bashkë, për t’i pritur e për t’i sajdisur pushuesit sipas traditës më të mirë shqiptare dhe standardeve më të mira të një vendi që po kërkon të bëhet kampione e turizmit në Ballkan.
