Përgjegjësi i Shërbimit të Urgjencës në Spitalin Rajonal të Korçës, Kujtim Shabani ka ndërruar jetë mesditën e sotme, në plazhin e Radhimës.Mësohet se vdekja e mjekut të njohur ka ardhur për shkak të një ataku kardiak teksa ishte me pushime së bashku me familjen e tij në Radhimë të Vlorës. Me gjithë ndërhyrjen e shpejtë të bluzave të bardha ka qenë e pamundur të mbahej në jetë mjeku, i cili prej shumë vitesh i ka shërbyer qytetarëve korçarë dhe jo vetëm. Prej gati dy vitesh, Kujtim Shabani ka trajtuar me profesionalizëm qindra e qindra qytetarë të juglindjes së vendit të infektuar me Covid 19.
Falë aftësisë dhe trajtimit që i ka bërë pacientëve me Covid, shumë prej tyre gëzojnë shëndet të plotë. Me vdekjen e Shabanit, Spitali i Korçës ka humbur një prej vlerave të mjekësisë, njeriun më human të bluzave të bardha.
Njoftimi i policisë:
Vlorë/Informacion paraprak
Sot, rreth orës 12:35, në plazh, Radhimë, është gjetur pa shenja jete në shezlong, shtetasi K. Sh., 49 vjeç, banues në Korçë, i cili nga të dhënat e para dyshohet se ka ndërruar jetë për shkaqe natyrale.
Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Faqja korcablog.com i shpreh ngushëllime familjes dhe miqve për humbjen e madhe !
