Personi që shihni në foto është 30-vjeçari Romeo Hasalla, i cili mbeti viktimë e një konflikti për pronat mes kushërinjve të parë në një fshat të Lushnjës mëngjesin e sotëm. Mesohet se të plagosur kanë mbetur babai i viktimës, Shuaip Hasalla 65 vjeç, dhe dy vëllezërit Emiljano Hasalla dhe Laert Hasalla, 31 vjeç. Policia ka shpallur në kërkim dy autorët, vëllezërit Kastriot Hasalla dhe Afrim Hasalla.
Njëri prej banorëve, e cilëson viktimën dhe dy vëllezërit e tij si djem mjaft të mirë, ndërsa shtoi se Romeo i cili prej vitesh jetonte në Greqi, kishte vetëm 3 ditë që kishte ardhur për të takuar familjen.
“Jemi shastisur, ishin njerëz të mirë, nuk e dimë të kenë pasur konflikte. Ai çuni që ka vdekur, dhe dy vëllezërit kanë qenë djem shumë të mirë. Nuk ngacmonin ndonjë. Kam qëndruar me ta, kemi ngrënë bukë në një vend. Kam punuar me ta. Nuk di të kenë pasur debate të mëparshme, s’di asgjë. Ne jemi çuditur kur kemi mësuar se çfarë ndodhi. Nuk e di se për çfarë ka ndodhur konflikti, sepse jetoj në Greqi. Edhe Romeo (viktima) jeton atje, kishte vetëm 3 ditë që kishte ardhur. Kastriotin e njoh si njeri. Ata qëndrojnë në Itali. Sapo erdhën kanë hyrë në konflikt. Nuk e di sa ditë kishin që konfliktoheshin.”-tha një prej banorëve të fshatit për News 24.

