Një aksident me pasojë vdekjen e një të mituri është regjistruar në Elbasan. Ngjarja e rëndë ndodhi sot rreth orës 09:15, në fshatin Bujqës.Mësohet se Oltja Maloku 38-vjeçe ishte duke drejtuar mjetin e saj tip “Ford” kur ka devijuar rrugën dhe ka përfunduar në një arë anës rrugës. Djali i saj 3-vjeçar u plagos rëndë dhe sapo ka mbërritur në spital ka ndërruar jetë. Nga ana tjetër 38-vjeçarja Maloku ndodhet në spitalin e Elbasanit jashtë rrezikur për jetën. Vetëm para pak ditësh ajo kishte ardhur për pushime në Shqipëri nga Suedia ku jeton me familjen. Bëhet me dije se 38-vjeçarja është nëna e dy vajzave binjake 6-muajshe. Bashkëshorti i saj do mbërrinte këtë fundjavë në Shqipëri për t’ju bashkuar familjes për pushimet verore.
Njoftimi i Policisë :
“Më datë 05.08.2021, rreth orës 09:15, në fshatin Bujqës, Elbasan, shtetasja O.M., 38 vjeçe, banuese në fshatin Mengël, Elbasan, duke drejtuar mjetin tip “Ford”, ka humbur kontrollin e mjetit duke dalë nga rruga dhe për pasojë ka humbur jetën shtetasi D.M., 3 vjeç, i cili ishte pasagjer në këtë mjet. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e shkakut të aksidentit.”, njofton policia.
Sipas mediave, 38-vjeçarja Oltja Maloku, e cila drejtonte mjetin tip “Ford”, kishte shkuar me djalin e saj në farmaci dhe dyshohet se një grua i ka prerë rrugën makinës. Në tentative për të evituar përplasjen, shoferja ka devijuar drejtimin e lëvizjes së automjetit dhe për pasojë është përplasur me një shtyllë ndriçimi dhe me pas ka dalë nga rruga duke përfunduar në një arë.

