Një person është shpallur në kërkim pasi akuzohet se ka djegur një sipërfaqe pylli prej 1 hektar në Leshnjë,Korçë. Burime bëjnë me dije se është shpallur në kërkim shtetasi i identifikuar si Ropi Ropi.Përkatësisht Ropi ka djegur një sipërfaqe pyjore me shkurre e dushk në fshatin Leshnjë, në vendin e quajtur Manastirsht.
Njoftimi i Policisë :
Në vijim të punës hetimore për zbulimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve të zjarrvënieve të qëllimshme, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Korçë shpallën në kërkim shtetasin R. R., banues në fshatin Leshnjë, Korçë, pasi dyshohet se në këtë fshat, në vendin e quajtur “Manastirsht”, ky shtetas ka djegur 1 hektar sipërfaqe pyjore me shkurre dhe dushk.
Gjithashtu në afërsi të fshatrave Gjonomadh dhe Krushovë, Korçë, konkretisht në vendet e quajtura “Korija e fshatit” në Gjonomadh dhe “Mali i Bodesë” në Krushovë, ka rënë zjarr dhe për pasojë janë djegur sipërfaqe pyjore me bimësi të ndryshme. Nga ana e Policisë po punohet për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve të këtyre zjarrvënieve.
