FIER– Automjeti tip ‘Audi’ që drejtohej nga një 21-vjeçar është bllokuar nga Polica. Ky mjet po ‘fluturonte’ në Bypass-in e Fierit me shpejtësi 208 km/h. Bëhet me dije se drejtuesi i mjetit,i identifikuar me inicialet H. M., banues në Kamëz, rezultonte me 6 gjoba të papaguara. Madje ai po qarkullonte pa lejen e drejtimit me vete.Ndërkaq, 21-vjeçari kishte veshur me qeskë të zezë xhamin e parë të makinës. Si pasojë e këtyre konstatimeve në kundërshtim me rregullat rrugore, të riut i është bllokuar mjeti si edhe i është vendosur një gjobë prej 80 mijë lekësh. Sakaq i është bllokuar edhe leja e drejtimit me 6 muaj.
NJOFTIMI NGA POLICIA
Vijojnë kontrollet intensive me radar në Bypass-in e Fierit, për parandalimin e aksidenteve rrugore. Kapet nga radari një tjetër automjet luksoz që lëviste me shpejtësi tej normave të lejuara. Me 6 masa administrative të papaguara dhe me xhamin e parë të riveshur, bllokohet automjeti që drejtohej me shpejtësi 208 km/h, nga 21- vjeçari H. M., banues në Kamëz, Tiranë. Në Bypass-in e Fierit, shërbimet e Policisë Rrugore kanë konstatuar nëpërmjet radarit, automjetin tip “Audi” me shpejtësi tej normave të lejuara. Pas paraqitjes së dokumentacionit, rezultoi se automjeti nuk kishte leje për mbajtjen e xhamit të parë të riveshur si edhe kishte pa paguar 6 masa administrative.
Këtij shtetasi iu bllokua leja e drejtimit për 6 muaj si edhe u vendos masa administrative 80.000 lekë të rinj, për tejkalim të normave të shpejtësisë, mungesë siguracioni, xhamin e parë të veshur me qeskë të zezë, qarkullim pa patentë me vete si dhe rezulton debitor me 6 masa administrative pa paguar. Automjeti tip “Audi” u bllokua nga Policia Rrugore. Policia Rrugore apelon për të gjithë drejtuesit e automjeteve që të respektojnë sinjalistikën rrugore, pasi në të gjitha rrugët e vendit ka radarë dhe prezencë të Policisë Rrugore, të pajisur edhe me dronë, dragera, kamera e aparate fotografike.
MosUbëjStatistike
