Lokalet në Korçë nisin të vendosin dekorin e Halloween-it (VIDEO)

Korça nis të veshë petkun e Halloween-it. Një pjesë e mirë e lokaleve përgjatë “Pazarit të Vjetër” ,Pedonales apo Bulevard Republikës, kanë nisur t’i bëjë gati ambientet e tij për ditën e ringjalljes së shpirtrave, që festohet më 31 tetor. Kungujt, simboli i kësaj feste, janë të kudondodhur. Po ashtu nuk mungojnë as fantazmat, kafkat, lakuriqët e natës etj. Gjithçka e frikshme dhe që lidhet me botën e të vdekurve duhet të jetë e pranishme në dekorin e festës, që vitet e fundit ka nisur të kremtohet gjerësisht në qytetet më kryesore të Shqipërisë.

Të rinjtë janë ata që i bashkohen më shumë festimeve me kostumet e larmishme që zgjedhin për festat ku do të marrin pjesë. Kostumet zakonisht personifikojnë personazhe të frikshme të frymëzuar nga filmat thriller ose kostume të personazheve të showbizz që kanë krijuar një stil të tyre. Në perëndim njerëzit shkojnë që të vizitojnë njëri-tjetrin nëpër shtëpi, ose mblidhen së bashku për të festuar. Halloween-i që festohet sot ka shumë pak ngjashmëri me festivalet romake, mbi të cilat dikur është mbështetur.