Procesi i legalizimit në Bashkinë Pustec/ Kreu i Kadastrës:” Ballkani i Hapur ndihmohet edhe me vepra të tilla”

Agjensia Shtetërore e Kadastrës në bashkëpunim me Bashkinë Pustec, kanë saktësuar vijat kufizuese të ndërtimit të fshatrave përbërës të Bashkisë, duke i hapur mundësi në këtë mënyrë procesit të legalizimit brenda fshatrave. Kujtojmë këtu që, për shkak të situatës së trashëguar me qenien zonë e mbrojtur, Bashkia Pustec mbetej e vetmja Bashki në Republikë ku nuk kishte filluar ende procesi i legalizimeve.


Drejtori i Përgjithshëm i Kadastrës, Artan Lame, i shoqëruar nga kryetari i Bashkisë së Pustecit Pali Kolefski dhe nga drejtorja vendore e ASHK-së Korçë, Besa Spaho ishin në Pustenc për të njoftuar përfundimin e procesit të legalizimit brenda zonës urbane të Bashkisë. Lame, ju tregoi edhe banorëve arsyen pse nuk ishte vijuar dot me procesin e legalizimit në këtë zonë dhe pse kishte qëndruar larg kësaj zone:

“Këtu në Pustec, në cilësinë e drejtorit të Kadastrës vij për herë të parë. E kisha të vështirë ta bëja, sepse në tetë vite të Berishës dhe tetë vite të kësaj Qeverije, këtu nuk ishte bërë asnjë legalizim. Arsyeja ka qenë mungesa e detajimit dhe ndarjes së zonave të mbrojtura nga zonat urbane të Parkut të Prespës. Tashmë që bashkarisht me Bashkinë e zgjidhëm këtë ngërç, në kohë rekord ja dolëm të mbyllim procesin e legalizimeve për 160 objekte informale që ndodhen brenda vijës së verdhë”,-tha Lame.

Ballkani i Hapur ndihmohet edhe me vepra të tilla që avancojnë ekonominë e zonave të minoritetit dhe ndihmojnë në integrimin e zonave kufitare” -shtoi tha Lame.

Drejtori i Kadatrës tha se sfidë dhe prioritet për këtë zone, në vijim do të jetë regjistrimi i tokës bujqësore dhe i ndërtimeve të vjetra.