Policia e Elbasanit ka arrestuar një kontrabandist nafte, 53-vjeçarin Ylli Kryeziu nga Qukësi i Prrenjasit. Sipas Policisë, ai e kishte futur natën kontrabandë dhe po ashtu e shiste fshehurazi. Si rrjedhim, Policia i vuri prangat dhe i sekuestroi 1250 litra karburant që iu gjetën pa faturë doganore në kuadrin e operacionit “Diesel”.
Në kuadër të këtij operacioni u arrestua në flagrancë për tri vepra penale “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë ose me pezullim të plotë apo të pjesshëm nga detyrimet doganore ose të akcizës”, “Ruajtja ose depozitimi i mallrave kontrabandë” dhe “Fshehja e të ardhurave”, Ylli Kryeziu, 53 vjeç, banues në fshatin Qukës, Prrenjas.
Policia e Elbasanit njoftoi se bazuar në informacionet e siguruara nga burimet e saj për një person që fuste hidrokarbure kontrabandë në vendin tonë, organizoi operacionin e koduar “Diesel”.
Gjatë kontrollit në magazinën e tij në një bar-restorant në pronësi të Kryeziut janë gjetur dhe sekuestruar 1250 litra karburant, që dyshohen se janë futur kontrabandë në vendin tonë. Nga veprimet hetimore ka rezultuar se ai i kishte futur kontrabandë, të cilat i ka depozituar në ambientet e subjektit të tij dhe më pas i ka tregtuar duke fshehur të ardhurat. Dosja e tij i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme.
