Katër punonjës të policisë së Korçës u proceduan penalisht në gjendje të lirë për shpërdorim detyre pas arratisjes së djeshme të një të arrestuari nga gjykata e këtij qyteti. Agjencia e mbikëqyrjes policore njoftoi se referoi materialet e para hetimore në gjendje të lirë për 4 punonjës të Komisariatit të Policisë Korçë, dhe konkretisht, ndaj Përgjegjësit të zonave të sigurisë në Komisariatin e Policisë, dy Inspektorëve me detyrë Trupë shërbimi i patrullës së përgjithshme, dhe shefit të Seksionit të Rendit në Komisariatin e Policisë Korçë.
Materialet hetimore u referuan në ngarkim të punonjësve të policisë;
- Inspektor G. S., me detyrë Përgjegjës i zonave të sigurisë në Komisariatin e Policisë Korçë,
- Inspektor F. S., me detyrë Trupë shërbimi i patrullës së përgjithshme, në Komisariatin e Policisë Korçë
- Inspektor E. S., me detyrë Trupë shërbimi i Patrullës së Përgjithshme
- Komisar M. J., me detyrë Shef i Seksionit të Rendit në Komisariatin e Policisë Korçë
Referimi u krye pasi më datë 08.05.2022, ndërsa punonjësit e policisë shoqëronin shtetasin K. M. në ambjentet e Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë (person i arrestuar) për vlerësimin e masës së sigurisë, gjatë kohës që ky shtetas ka qenë duke hipur në mjetin e policisë, brenda ambjenteve të garazhdit të Gjykatës, u është larguar dy punonjësve të policisë dhe është kapur pak më pas nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se dy punonjësit e policisë, G. S dhe F. S. nuk kanë përmbushur detyrën funksionale duke mos zbatuar detyrimet ligjore për mënyrën e shoqërimit të personave të arrestuar apo të ndaluar. Po ashtu, rezulton se Inspektor E. S., në kundërshtim me procedurat standarde të punës dhe në cilësinë e përgjegjësit të patrullave, ka bërë njoftimin vetëm të njërit prej punonjësve të patrullës për shoqërimin në gjykatë të shtetasit K. M.
Gjithashtu, në lidhje me këtë ngjarje, dyshohet se punonjësi i policisë Komisar M. J., në cilësinë e eprorit të drejtpërdrejtë dhe në mungesë të Specialistit të Rendit, në kundërshtim me ligjin, nuk ka marrë masa për organizimin e shërbimeve për shoqërimin e shtetasit K. M. Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të Policisë së Shtetit, duke telefonuar në numrin pa pagesë 0800 90 90.
