Me ekipin e Guardia di Finanza-s,Gledis Nano merr helikopterin dhe nis inspektimin në veri të vendit për bimë narkotike(Video)

Drejtoi i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, së bashki me një ekip të Guardia di Finanza-s, kanë monitoruar nga ajri me helikopter veriun e vendit, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e tentativave për kultivim të bimëve narkotike. Gjatë monitorimit u verifikuan, në zona të thella si Dukagjin, Theth, Valbonë, Muriqan, Malësi e Krujës etj, koordinata në të cilat kishte dyshime se kultivoheshin bimë narkotike. Gjithashtu, u ndoq dhe u verifikua një mjet lundrues, i cili nuk kishte sende të kundërligjshme në bord, por kishte dalë për peshkim.

Ne, sot, zhvilluam një fluturim monitorimi, bashkë me kolegët e “Guardia di Finanza”, kryesisht në zonën veriore të vendit. Pjesëmarrja ime në këtë fluturim nuk ishte thjesht për t’i falenderuar kolegët italianë që punojnë për të na mbështetur në luftën kundër kultivimit të kanabisit, por për t’iu treguar të gjithë mbështetjen e Policisë së Shtetit dhe vendosmërinë time personale, si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, po ashtu edhe të të gjithë efektivëve, në lidhje me goditjen e problematikës së kultivimit të kanabisit.

Dua t’i falenderoj kolegët e “Guardia di Finanza”, si ekuipazhin e helikopterit ashtu edhe kolegët e tjerë, që monitorojnë nga qendra e kontrollit të gjitha fluturimet dhe vendndodhjet e vendeve, të dyshuara si pjesë e kultivimit të kanabisit, janë një skuadër profesionistësh dhe për këtë unë falënderoj kolegët e Interforce, Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë italiane dhe Ministrinë e Brendshme italiane, e cila na ka ofruar këtë mundësi, për të lokalizuar me teknologjinë më të fundit që mjeti fluturues, helikopteri, që kemi pas shpine, mban me vete.

Ju siguroj që Policia e Shtetit është e vendosur, me tolerancë zero, kundër fenomenit apo problematikës së kultivimit të kanabisit dhe do të vazhdojmë siç e kemi nisur këtë vit, pak më herët nga vitet e kaluara, për të identifikuar çdo vend të përgatitur për kultivimin e kanabisit, për të shkatërruar e asgjesuar çdo bimë, që në fazën fillestare të saj, në mbjelljen në terren”, tha Gledis Nano.

Ndërkohë, kapiteni i GDF-së, Sergio Angelucci, tha se Italia do të garantojë impenjim maksimal, me qëllim realizimin e kësaj veprimtarie të rëndësishme në territorin shqiptar.

“Falënderoj Drejtorin për vlerësimin që shpreh për shtetin italian dhe për ‘Guardia di Finanza’-n. Ne sigurisht, garantojmë impenjim maksimal, me qëllim realizimin e kësaj veprimtarie të rëndësishme, në territorin shqiptar”, tha ai.