Dashurinë e ka zëvendësuar gruaja, gruan dashnorja, dashnoren… Dorjana!

Nga Edison YPI:

Në qiell nuk fluturojnë zogj. Nëpër pemë nuk dëgjohen cicërima. Era nuk vallëzon. Flladi nuk freskon. Me gjethet e vdekura nuk merret poeti, por fshesari. Shitësi i bulmetit është një veremli. Ndreqësi i bravave një derr. I veglave elektronike një skuth. ….Shqipen po e shkruajnë për ibret. Gazetat janë të palexueshme. Televizionet plot me rrena dhe hajvanllëqe që nuk shihen edhe po të kesh durimin e derrit. Librat nuk lexohen. Askush nuk di vargje përmendësh. …

Në kinema nuk shfaqen filma, por zgjyra. Të merr malli të bësh një kompliment, por nuk di cilës prej oqeanit të budallaqeve t’ia drejtosh. Edhe mund të martohesh, por ke frikë se pjell bastarda. ….Ke dëshirë të ikësh në ndonjë katund, ku ajri është i pastër, frutat të shijshme, qumështi pa hile, natyra mahnitëse, ende kanë mbetur ca drurë pa u prerë, por nuk guxon se do jesh i vetmi dhe do të duket vetja budalla.

Të gjithë sytë i kanë kah Roma, Milano, Parisi, Londra, askush nga katundet. Beethovenin, Vagnerin, Verdin, Shopenin, i ka zëvendësuar tallavaja. Pushkini, Tolstoi, Turgenievi, nuk lexohen se janë rusë. Prusti është i vështirë. Balzaku dhe Hygoi janë grafomanë.


Respektin për të mëdhenjtë e historisë së botës e ka zëvendësuar frika nga i forti i mëhallës. Nëpunësi, gjyqtari, polici, të shohin nga xhepi. Partitë janë kthyer në biznese. Idealistët janë shndërruar në fanatikë. Bashkimi i Shqipërisë me Kosovën është harruar…

Administratën e ka mbytur nepotizmi. Ekranet japin soc-filma me partizanë dhe diversanta. Hidrauliku dhe elektriçisti të rrjepin sikur ujin dhe korentin i kanë shpikur ata. Nuk blen dot asgjë po s’bëre pazar.

Për shumicën e studentëve që mbarojnë fakultetet qendra e botës është rrethrrotullimi te Zogu i Zi. Nuk kanë asnjë ide ku bie Dumreja, ku buron Vjosa, ku ndodhet Puka. Dashurinë e ka zëvendësuar gruaja. Gruan dashnorja. Dashnoren Dorjana.

Kafenetë janë plot me kohëbjerrësa që nuk kuptohet nëse janë zbukuruar sepse janë budallallepsur apo janë budallallepsur sepse janë zbukuruar. Dyqanet plot me ushqime që hahen me ëndje por treten me vështirsi dhe të shpifin sëmundje. Frutat, sa më të rrumbullakëta, të lëmuara, me ngjyra të forta, aq më të pështira.

Shiu vazhdon. Dimri ngrin. Behari djeg. Vjeshta vjen e modifikuar genetikisht. Pranverën e kanë dënuar me vdekje. Të rrish, nuk ja vlen. Të ikësh, zemra të ndalë…

Për t’u bërë pjesë e grupit "KorcaBlog.com" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.