Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve të Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pogradec, në vijim të operacionit “Midnight”, të finalizuar 1 javë më parë, kanë goditur 1 tjetër rast. Si rezultat u referuan materialet në Prokurori dhe u shpall në kërkim shtetasi:
- R. S., 24 vjeç, banues në Tiranë.
Shërbimet e Policisë, në bazë të inteligjencës informative se një shtetas do të transportonte me një automjet tip “Volvo”, emigrantë të paligjshëm, në drejtim të Tiranës, kundrejt fitimit, koordinuan veprimet dhe në aksin Korçë-Pogradec, bënë të mundur lokalizimin e automjetit me drejtues shtetasin R. S., të cilit i bënë shenjë të ndalonte.
24-vjeçari nuk i është bindur urdhrit të tyre për të ndaluar, ka vijuar lëvizjen me shpejtësi dhe më pas, duke përfituar nga errësira ka mundur të largohet. Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin e braktisur u gjetën 9 emigrantë të paligjshëm, të cilëve, kundrejt pagesës, drejtuesi i automjetit iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.
Nga ana e Policisë po punohet për kapjen e shtetasit R. S. dhe për dokumentimin e plotë të ngjarjes.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec, për veprime të mëtejshme.
Për t’u bërë pjesë e grupit "KorcaBlog.com" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.