Mos të qurravitemi për migrimin masiv të shqiptarëve/ Të vërtetat shtypen me dorën e pronarit dhe bekimin e qeverisë….

Nga Bora Mema:                                                                     Në 2023 në Shqipëri, historia vazhdon të përsëritet.  Mira Shega kryesindikalistja në sektorin fason në Bilisht pushohet nga puna pas gati një vit presioni të jashtëzakonshëm nga pronari i “Tony Oil”. Për kë nuk mban mend ngjarjen e 11 muajve më parë, është fasoneria që nuk paguante as pagën minimale sipas ligjit. Vetëm pasi punëtoret hynë 100% në grevë, ministrja Delina Ibrahimaj erdhi për të negociuar mes palëve.

Në një shtet disi normal kompania do qe dënuar me gjobë për mospagimin e pagave, të kontributeve, do jepeshin dëmshpërblime, shkarkime nga puna të inspektorëve që në rastin më të mirë thjesht kanë dredhur zinxhirin e të hetoheshim për moszbatim të detyrës e mbase korrupsion.

Në qeverinë e Edi Ramës ama gjobitet tregtari ambulant e jo pronari i madh i fasonerisë që vjedh hakun e punës së punëtoreve.

Mirjeta Mulla (Shega) dhe SPF e Bilishtit kanë muaj që luftojnë për pagesën e orëve shtesë të punës, për marrjen e pushimeve vjetore sipas Kodit të Punës, për respektimin e të drejtës kushtetuese për t’u organizuar sindikalisht. Së fundmi pronari i kësaj fasonerie u kishte ulur rrogën disa punëtoreve pa u dhënë ndonjë shpjegim racional, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme të sindikatës.

Për kë thotë njëlloj si Rama që në Shqipëri nuk ka sindikata, duhet thjesht të hapë sytë e të shohë se si në Shqipëri ato të vërtetat shtypen me dorën e pronarit dhe bekimin e qeverisë.
Pastaj, mos të qurravitemi për migrimin masiv të shqiptarëve, pasi në nje vend ku skllavërohesh, ose ngrihesh e lufton, ose arratisesh.

Bashkë me punëtorët!