Sot rrojmë në një kohë kur hajdutët zgjidhen në krye të vendit, gënjeshtarët janë kthyer në profetë dhe…

Nga Sualdo Dino:                                                            Prindër, na gënjyet! Kur ishim të vegjël na rritët me besimin se arsimi sjell progres, por sot shohim se në shoqërinë ku jetojmë sa më pak shkollë të kesh aq më i suksesshëm je. Na rritët me bindjen se kultura sjell status social, por sot shohim që vetëm analfabetët promovohen si modele suksesi në biznes, politikë, art, media madje edhe në akademi. Na edukuat me respektin për punën, duke na krijuar bindjen se kush nuk punon përfundon i varfër, por në fakt, sot shohim se ata që punojnë nuk kanë kohë për tu bërë të pasur.

Në fakt janë pasuruar ata që punojnë më pak, të cilët u ngrysën si fatorino, shoferë apo truproja, dhe u gdhinë pronarë të pasurisë së shqiptarëve. Kur ishim të vegjël na thatë se “për tu bërë artist duhet shumë talent”. Por po shohim se si çdo fushë e artit është marrë peng nga banaliteti i njerëzve mediokër, pa talent dhe pa kulturë. E ndërkohë licetë dhe akademitë e arteve vazhdojnë t’i trajnojnë të talentuarit për tu bërë kamarierë apo punonjës në call-center. Ndërsa festivalet e kengës i ngjajnë gjithmonë e më shumë paradave në rrugicat me drita të kuqe.

Na rritët me bindjen se respekti i shoqërisë është vetëm për njerëzit e ndershëm, të cilët nuk vrasin, nuk vjedhin dhe nuk gënjejnë.
Por sot rrojmë në një kohë kur kriminelët respektohen, hajdutët zgjidhen në krye të vendit dhe gënjeshtarët janë kthyer në profetë.
Na thanë se ‘gënjeshtra i ka këmbët e shkurtra’, por në këtë vend ato kanë ecur për tri dekada, dhe vazhdojnë…

Na thatë “duaje vendin tënd, se këtu kanë jetuar gjyshërit e tu, dhe do të rrojnë edhe fëmijët e tu”. Por si do jetojnë brezat e ardhshëm në një vend ku këta kanë kontaminuar ujin, tokën dhe ajrin; kanë prerë pyjet, kanë vjedhur shtratin e lumenjeve; kanë zaptuar bregun e detit dhe kanë gërryer malet?

Na mësuat disa vlera, të cilat sot janë të përmbysura, dhe kjo prodhon zhgënjim pikërisht tek të rinjtë e atij brezi që ka jetuar sipas rregullave. Është e trishtë, por e vertetë që sot shqiptari i zakonshëm jeton një jetë të mundimshme, i lënë në një ishull varfërie, por i rrethuar nga një det me pasuri natyrore.

Sot shqiptari i ndershëm jeton pa krenari, i lënë në fund të sallës, në një skenë të dominuar nga gjithëfaresoj horrash pa din e pa iman.
Sot shqiptari i edukuar, që ka investuar një jetë në shkollim, është vënë përfund nga mediokriteti i shefave të partisë, të cilët kanë mend aq sa për të numëruar lekët.

Sot shqiptari i talentuar i ka harruar ëndrrat dhe pasionet, teksa skenën e sheh nga larg, të dominuar nga mediokriteti dhe arroganca e banalitetit.

Sot shqiptari punëtor dhe sipërmarrës është kthyer në skllav i një kaste të pangopur, që ka marrë peng çdo sferë të jetës, në politikë, media, akademi apo biznes.

Sot shqiptari atdhetar po rrezikon jetën jo për të shpëtuar vendin e tij, por për tu larguar diku larg, ku ta trajtojnë si njeri dhe të ndihet pjesë përbërëse e shoqërisë…

Prandaj në fund të këtij viti që po lëmë pas, është momenti më i mirë për të parë se ku po na shpie kjo rrugë që kemi shkelur për 32 vite. Ne duhet të vazhdojmë t’i rrisim fëmijët me vlerat morale, respektin për punën dhe dashurinë për vendin e tyre. Ashtu siç bënë edhe prindërit tanë në fillim të viteve 1990.

Por ne sot kemi detyrimin që të punojmë për një Shqipëri ku këto vlera nuk janë vetëm fjalë të bukura, por shtyllat mbi të cilat ngrihet shoqëria ku jetojmë. Le të jetë 2023 një vit në drejtim të një rruge të re, për të gjithë ne që kemi vendosur të rrojmë dhe të vdesim me dinjitet në këtë vend. Gëzuar!

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.