Skënderbeu i artë “rilind” në qytetin e serenatave…

Nga RETIN TOKA :      
Ajo e diel e 23 prillit ishte e bukur për gjithkënd që kishte zgjedhur të shijonte diellin e pranverës. Të shumtë ata që kishin preferuar bregdetin, të paktë sportdashësit në shkallët e stadiumit. Për qytetin e Korçës asgjë s’mund ta zhbënte apo zëvendësonte emocionin që do të përjetohej pasi “Ujqërit” e tyre të zbrisnin në fushë.

Skënderbeu i tyre nuk luante në shtëpi, megjithatë ata e ndiqnin njëjtë sikurse të ishte pritës. Disa tifozë korçarë kishin udhëtuar drejt Cërrikut pasi e ndjenin se ajo pasdite do të ishte moment historie për Skënderbeun e futbollit.


“E bre Gvozdeno si të kemi”, dëgjoheshin tifozët në shkallët e stadiumit të Turbinës që lavdëronin punën e bërë nga trajneri i korçarëve. Ndeshja nisi vrullshëm duke mos lënë në asnjë moment vendasit të merrnin në dorë “frerët”. Fërshëllima përfundimtare e gjyqtarit do të dëgjohej pas 90 minutash të zjarrta. Skënderbeu i artë ishte rikthyer në habitatin e vet.

Pas 4 golave, “Ujqërit e Dëborës” siguruan matematikisht elitën e kampionatit shqiptar. Lotët ishin legjitim në sytë e trajnerit Ivan Gvozdenoviç. Mori përsipër një barrë të rëndë. Në fund ia doli. Por, dedikimi i tij shkonte përtej jetës. Lart në qiell, babai i tij, përshëndeste punën e mrekullueshme të të birit. Pak kush e kishte besuar. Skënderbeu i historisë së futbollit shqiptar u rikthye brenda vitit në Superiore.

Gara ishte e fortë, me një Dinamo të shumë investuar dhe një Flamurtar me ambicie të mëdha për elitën e futbollit vendas. Mirëpo, skuadra e qytetit të serenatave eci nëpër melodinë e ëmbël të orkestruar nga presidenti i padorëzuar, Ardian Takaj dhe “dirigjenti” serb Gvozdenoviç./ Newsbomb

Për t’u bërë pjesë e grupit "KorcaBlog.com" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.

Na ndiqni: