Vrasja e policit në Maliq/ Hita: “Kallashnilovi dëpërtoi antiplumbin “!

Në një konferencë për shtyp ku ishte i pranishëm edhe ministri i Brendshëm Besfort Lamallari, Skënder Hita bëri me dije se ka nisur një hetim për procedurat hetimore lidhur me Violand Braçellarin, autorin e vrasjes së efektivit në Maliq të Korçës. Lidhur me operacionin, Hita tha se efektivët ishin të pajisur me jelek antiplumb, por arma kallashnikov që ka përdorur autori, ka përshkuar tejpërtej edhe antiplumbin.

Ai bëri të ditur se strukturat e përfshira në aksion ishin forcat e specializuara “Shqiponja”, të trajnuara për operacione me rrezikshmëri të lartë.

Sipas kreut të Policisë së Shtetit, efektivët kishin kryer instruktazhin përkatës para ndërhyrjes dhe ishin të pajisur me jelekë antiplumb dhe me të gjitha mjetet mbrojtëse të nevojshme.

“Nuk ishim në dijeni. Nëse do të ishte kërkuar një shqyrtim i plotë i të gjithë rastit, patjetër që do të ishin marrë masa më të forta. Punonjësit e Policisë së Shtetit janë të trajnuar sipas ligjeve dhe procedurave në fuqi. Në këtë rast kanë qenë të angazhuara strukturat më të specializuara, forcat ‘Shqiponja’, të cilat kishin për detyrë realizimin e operacionit.

Kanë qenë 40 efektivë policie në terren dhe të gjithë ishin të pajisur me jelekë antiplumb, sipas standardeve që kërkon një operacion i tillë. Megjithatë, arma kallashnikov e përdorur nga autori ka depërtuar tejpërtej jelekut antiplumb. Para nisjes së operacionit është kryer edhe instruktazhi i nevojshëm për të gjithë efektivët”, u shpreh Hita.