Nga Aleksandrino Ikonomi Sulioti:
Nëse do të isha turist në qytetin tim… do qëndroja në një bujtinë të humbur diku në rrugicat e gurta korçare, do të zgjohesha rreth orës 6.30 të mëngjesit, kur qyteti është ende i qetë dhe bosh…. Sa të hapja sytë, do shkelja mbi ato pllakat e gurit të punuara me dorë, ashtu me këmbë të zbathura. Ndjenja e gurit të ftohtë të transferohet menjëherë në të gjithë trupin dhe të jep ndjeshmërinë për të zgjuar shpirtin e trazuar.
Do buzëqeshja i lirë, pa ankth dhe pa stres.
Do bëja një kafe turke, më shumë për ta marrë thellë brenda meje erën e kafesë së freskët. Do hapja perden e dritares për të parë dritën e zbehtë të kollonave të natës që jep shpirt në rrezet e para të dritës.
Zonja Korçë, e ndritshme, e mrekullueshme, e përjetshme sapo është gdhirë. Diku në thellësi të asaj dritës së paqartë të agimit bien në sy çatitë e kuqërremta të shtëpive. Dhjetra drita ndizen pothuajse me radhë në dritaret e vogla të qytetit. Do të jetë kështu i qetë vetëm për pak çaste.
Dita fillon ndryshe këtu dhe unë mezi pres të dëgjoj historitë që zonja Korçë do më rrëfejë me heshtje. Vishem mirë, se në mëngjes dielli i vjeshtës korçare ka dhëmbë, siç thonë….Era e bukës të pjekur më pushton. Marr frymë thellë.
Zbres shkallët dhe humbas si fllad i dehur nëpër sokaket e lagjes 1. Agimi shkëlqen aq shumë sa më merr mendtë. Si arrin të më flasë kaq shumë ky qytet me gjithë këtë heshtje?
Mes heshtjes së portave prej druri dhe mureve gjysëm të suvatuar, dalin gradualisht para meje Mitropolia e vjetër, Kinema Majestiku, ish Liceu francez, Bulevard Republika, Bashta e Themistokliut, Biblioteka e “Turtullit”, një shatërvan vigjilent prej guri dhe një stol i kuq “dhëmbac”.
Nuk ngopem duke pare…Ndërtesa, ngjyra, njerëz të cilët shkojnë me nxitim për punën e tyre, por megjithatë me mirësjellje ndalojnë për ti thënë mirëmëngjes njëri-tjetrit. Kamerierët marrin turnin e pare, makinat e para çajnë rrugët e shkreta përpara se grija e mbetur errësirës të vdesë fare dhe dy çifte të moshuar ecin para meje “angazhe”….
Pas meje le kishën katedrale, Shoh statujën imponuese të ushtarit të panjohur dhe hyj në pedonalen e qytetit. Mozaik kulturash osmane, frange, greke, rumune, sovjetike dhe shqiptare
që martohen bukur. Ndalem tek Mësonjëtorja e pare shqipe, ndez një cigare….
Qyteti ka filluar të zgjohet por unë mbyll sytë dhe për një moment, udhëtoj prapa në kohë. Ndihem i relaksuar dhe i gatshëm për të filluar jetën serisht nga e para. Qesh përbrenda me veten. Mendoj se e dua fort këtë qytet.
Për t’u bërë pjesë e grupit "KorcaBlog.com" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.