Gvozdenovic: “Ndoshta ndeshja më e keqe nga ne, por jam i kënaqur me fitoren…

Përfundon java e 23-të e “Abissnet Superiores”. Skënderbeut i mjaftoi një gol i hershëm për të marrë tre pikët kundër Kukësit. Rashica u gjend fare pranë vijës fatale në zonën kundërshtare, nga ku në minutën e 6 të takimit e dërgoi topin në rrjetë. VAR-i dha miratimin e tij dhe festa ishte tërësisht legjitime. Rezultati mbeti i pandryshuar deri në vërshëllimën e trefishtë të gjyqtarit, çka solli fitoren e Skënderbeut.

Gvozdenoviç tha:

“Jam kënaqur me fitoren pasi ishte e rëndësishme, fusha ishte e vështirë dhe ishte shumë ftohtë. Kukësi ishte skuadër e mirë dhe i uroj shumë sukses në vazhdimësi. Ndoshta ishte ndeshja jonë më e keqe, nuk ishim mirë, nuk krijuam raste për gol, komplet s’ishte ndeshje e mirë nga Skënderbeu.

Nuk ishim mirë në pjesën e parë në mesfushë, pas golit dhe në pushim, ndryshuam lojën. Kishim merak mos pësonim dhe jam i kënaqur me 3 pikët”, deklaroi ai për “MCN TV”.