Një shtetas 26-vjeçar ka rënë në prangat e policisë pasi u kap në flagrancë në aksin rrugor “Elbasan Tiranë”, teksa transportonte me furgon veshje të kontrabanduara që arrinin vlerën 45 mijë euro. Blutë gjetën dhe sekuestruan në furgonin e shtetasit me iniciale R. K, banues në Korçë, 19 thasë me veshje intime të markave të ndryshme, pa dokumentacionin shoqërues.
Njoftimi i policisë:
“Tiranë/Finalizohet operacioni i koduar “Wrong Way”, goditet një rast në fushën e kontrabandës së mallrave. Transportonte me furgon, veshje të ndryshme, të dyshuara të kontrabanduara, me vlerë rreth 45 000 euro, kapet në flagrancë në aksin rrugor “Elbasan-Tiranë” dhe arrestohet 26-vjeçari.
Sekuestrohen veshjet dhe furgoni.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar të DVP Tiranë, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandës së mallrave, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Wrong way”.
Si rezultat i këtij operacioni u arrestua shtetasi R. K., 26 vjeç, banues në Korçë.
Ky shtetas është kapur në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në aksin rrugor “Elbasan-Tiranë”, duke transportuar me furgon, 19 paketime (thasë) me veshje të imitimeve të markave të ndryshme, pa dokumentacion shoqërues.
Vijojnë hetimet për dokumentimin e kësaj veprimtarie të kundërligjshme dhe identifikimin e shtetasve të tjerë që mund të jenë të përfshirë. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Për t’u bërë pjesë e grupit "KorcaBlog.com" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.




