Biznesi shqiptar po përballet me forma të tjera dhune. Jo me leva hekuri në rrugë, por me leva financiare dhe administrative në zyra. Birra Korça” është një markë historike shqiptare.
Është simbol i traditës industriale shqiptare. Është një nga kompanitë më korrekte në pagesën e detyrimeve fiskale. Është një nga kontribuuesit më të mëdhenj në ekonominë e rajonit të Korçës dhe në buxhetin e shtetit.
Kur goditet një biznes i tillë, mesazhi që u jepet investitorëve është dramatik, askush nuk është i sigurt nga arbitrariteti administrativ.
Dëmtohen ekonomitë familjarë të 130 punonjësve që mbahen me pagat që marrin në këtë fabrikë.
Dëmtohen të ardhurat buxhetore, duke qenë se Birra Korça kontribuon me mbi 50% të të ardhurave në doganën e Korçës.
Dëmtohen dhjetëra furnitorë dhe biznese të vogla që lidhen me zinxhirin ekonomik të prodhimit dhe shpërndarjes.
Dëmtohet konsumatori shqiptar.
Dëmtohet turizmi.
Dëmtohet prodhimi autentik shqiptar.
Dëmtohet klima e biznesit.
Sepse askush nuk investon në një vend ku administrata mund të të bllokojë llogaritë pa transparencë, pa komunikim, pa respektuar afatet ligjore dhe pa shpjeguar qartë burimin e pretendimeve financiare.
Shqetësues nuk është vetëm fakti i bllokimit, por mënyra sesi është kryer ai.
Nëse pretendimet e “Birra Korça” rezultojnë të vërteta, atëherë kemi të bëjmë me një precedent të rrezikshëm, ku administrata tatimore nuk vepron si institucion ligjor, por si mekanizëm presioni.
Dhe kur administrata kthehet në instrument presioni, shteti ligjor hyn në krizë.
Në çdo demokraci normale, tatimet kanë për detyrë të mbledhin të ardhura për shtetin duke respektuar ligjin dhe procedurat, jo të shkatërrojnë subjektet ekonomike përmes terrorit burokratik.
Pikërisht për këtë arsye, deklaratat e kryeministrit për “paqen fiskale” tingëllojnë sot edhe më kontradiktore.
Gjatë prezantimit të kësaj nisme, Rama deklaroi se qëllimi i qeverisë nuk duhet të jetë “ushtrimi i presionit mbi sipërmarrjen”, por krijimi i një marrëdhënieje besimi dhe bashkëpunimi mes biznesit dhe administratës tatimore.
Më tej, ai tha: “Ne nuk duam të rrisim të ardhurat duke ushtruar presion mbi sipërmarrjen.”
Dhe sërish:
“Synimi është një urë komunikimi e shëndetshme mes sipërmarrjes dhe administratës tatimore.”
Por çfarë ure komunikimi është kjo, kur biznesi njoftohet për bllokimin e llogarive përpara se të marrë shpjegime?
Çfarë paqeje fiskale është kjo, kur tatimpaguesi trajtohet si armik?
Çfarë sigurie juridike ekziston, kur një kompani me histori gati 100-vjeçare vihet në rrezik paralize financiare përmes procedurave të dyshimta?
Dukshëm, porosia politike e kryeministrit ose është injoruar nga administrata tatimore, ose administrata ndjen se mund të veprojë mbi ligjin dhe mbi frymën e qeverisë.
Dhe kjo është edhe më alarmante.
Sepse krijon bindjen se në Shqipëri ekziston ende një shtet paralel burokratik, që nuk kontrollohet nga askush dhe që mund të godasë kë të dojë, kur të dojë dhe si të dojë.
Pse u vërsulën tatimorët ndaj “Birra Korça” me bllokime llogarish përkundër frymës së “paqes fiskale”?
Pse nuk u prit zbatimi i mekanizmave ligjorë të dialogut dhe marrëveshjes?
Pse nuk u respektuan afatet procedurale?
Pse nuk iu dhanë kompanisë shpjegime të qarta mbi detyrimet e pretenduara?
Dhe mbi të gjitha, kush mban përgjegjësi nëse rezulton se kemi të bëjmë me një akt arbitrar që ka shkaktuar miliona euro dëme?
Këto pyetje kërkojnë përgjigje. Në fund të fundit, një shtet që godet biznesin e ndershëm, godet vetveten.
Për 5 vjet, birra që riktheu festën historike të qytetit u vu për 5 vite nën kontroll, presion dhe gjoba fiktive. Në vend që të mbështetet, sulmohet nga shteti me kontrolle të njëpasnjëshme.
Por, çdo gjë ka një kufi. Mjaft. Mjaft. Mjaft./Gazeta Panorama/
Për t’u bërë pjesë e grupit "KorcaBlog.com" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.