U vr* nga trafikanti i drogës Ky eshte polici që ra në krye të detyrës në Maliq….

Personi në foto është efektivi i Policisë së Shtetit, Enea Mekolli, i cili humbi jetën gjatë operacionit policor të zhvilluar në zonën e Podenës, në Bashkinë Maliq. Ai mbeti viktimë pasi forcat e rendit u përballën me të shtëna me armë zjarri gjatë tentativës për arrestimin e një personi të shpallur në kërkim. Sipas informacioneve paraprake, autori i dyshuar i sulmit është Violand Braçellari, ish-ushtarak dhe person në kërkim prej vitesh për çështje të lidhura me lëndët narkotike.

Gjatë përplasjes së armatosur mbeti i plagosur edhe efektivi Edison Adri.

Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit, kur një grup prej rreth 7-8 efektivësh të Policisë së Korçës kishte shkuar në zonë për arrestimin e të kërkuarit, pas informacioneve se ai fshihej në pyjet e Podenës.

Burimet paraprake bëjnë me dije se Braçellari, i konsideruar person me rrezikshmëri të lartë dhe njohës i mirë i armëve, ka identifikuar lëvizjet e policisë dhe ka hapur zjarr ndaj tyre, duke shkaktuar viktimën dhe të plagosurin.

Pas shkëmbimit të zjarrit, i dyshuari raportohet se është neutralizuar i plagosur nga forcat e rendit.

Zona është rrethuar nga forca të shumta policore, ndërsa në vendngjarje kanë mbërritur drejtues të Policisë së Korçës për të ndjekur hetimet. Autoritetet po punojnë për të zbardhur plotësisht dinamikën e ngjarjes dhe rrethanat që çuan në përplasjen e armatosur në këtë zonë të thellë malore.

“Rreth orës 07:30, shërbimet e Policisë kanë rrethuar vendin (stanin) ku dyshohej se fshihej personi në kërkim, konkretisht shtetasi V.B, 43 vjeç, i dënuar në vitin 2017 me 9 vjet, 11 muaj e 7 ditë burgim nga Gjykata e Korçës, për veprën penale ‘Prodhimi dhe shitja e narkotikëve’, ndërsa në vitin 2011 ndaj tij është caktuar masa e sigurisë ‘Arrest në burg’, për veprën penale ‘Kultivimi i bimëve narkotike’.

Shërbimet e Policisë i kanë bërë thirrje të kërkuarit të dilte dhe të dorëzohej, por ai nuk i është bindur thirrjes së Policisë dhe ka hapur zjarr në drejtim të punonjësve të Policisë, ku për pasojë ka humbur jetën punonjësi i Policisë, inspektor E. M., 34 vjeç, dhe ka mbetur i plagosur punonjësi i Policisë, inspektor E. A., 36 vjeç (të dy punonjës të Forcës së Posaçme ‘Shqiponja’ të DVP Korçë).

Për të neutralizuar sulmin e të kërkuarit, shërbimet e Policisë i janë kundërpërgjigjur me armë zjarri dhe, si pasojë e shkëmbimit të zjarrit, ka mbetur i plagosur edhe i kërkuari, shtetasi V.B, i cili më pas është arrestuar.”, kanë bërë me dije uniformat blu.

Efektivi i plagosur me inicialet E.A po merr ndihmën e parë në spitalin e Korçës. Ai pritet që të niset drejt Tiranës me helikopter për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore.

Sakaq, grupi hetimor ka nisur punën për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje.