Me vargje të mbushura me simbolikë dhe ndjenjë, një poete korçare ka zgjedhur të përcjellë një mesazh të fortë përmes poezisë së saj të titulluar “Filozofia e Jetës”, duke prekur tema si emigracioni, liria, dinjiteti dhe shpresa.
Sipas autores, gjithnjë e më shumë të rinj e shohin të ardhmen larg Shqipërisë, ndërsa realiteti i përditshëm i shtyn të kërkojnë një jetë më të mirë jashtë vendit. Përmes metaforave, ajo përshkruan një shoqëri ku ëndrrat përballen me frikën, e vërteta vihet në provë dhe njeriu vazhdon të kërkojë dritë mes vështirësive.
“Eja në botën ku lulet çelin dhe vyshken, në pranverën, verën, vjeshtën e dimrin e jetës, ku jeta ecën me paterica shpresash, ndërsa liria vuan në krahët e thyer,” shkruan poetja në një nga fragmentet më domethënëse të poezisë.
Në vijim të vargjeve të saj, ajo përshkruan një realitet ku, sipas këndvështrimit artistik, “ëndrrat fshihen në burgun e frikës”, “bukuria mohohet në pasqyrat e thyera” dhe “dinjiteti hesht i gjunjëzuar”, ndërsa njerëzit rendin pas iluzioneve duke lënë gjithnjë e më pak vend për dashurinë dhe marrëdhëniet njerëzore.
Megjithatë, pavarësisht toneve reflektuese, poezia mbyllet me një mesazh shprese. Autorja shpreh besimin se njeriu nuk duhet të reshtë së kërkuari të vërtetën, drejtësinë dhe dritën, edhe në kohët më të vështira.
“Filozofia e Jetës” është një poezi që fton lexuesin të reflektojë mbi sfidat e shoqërisë së sotme, emigracionin dhe vlerat njerëzore, duke rikujtuar se shpresa mbetet forca që e mban njeriun në këmbë edhe përballë vështirësive.
