Banorët e fshatit Zvezdë, në Bashkinë Maliq, kanë dalë në protestë për të denoncuar mungesën e ujit të pijshëm, një problem që, sipas tyre, vazhdon prej më shumë se tre dekadash, pavarësisht investimeve të kryera në rrjetin e ujësjellësit.
Protestuesit pretendojnë se qindra milionë lekë janë shpenzuar ndër vite për përmirësimin e furnizimit me ujë, por situata në terren mbetet e pandryshuar. Ata akuzojnë institucionet përgjegjëse për mungesë kontrolli, punime me cilësi të dobët dhe moszgjidhje të problemit, duke theksuar se banorët vazhdojnë të përballen çdo ditë me mungesën e një shërbimi jetik edhe pse ndodhen shumë pranë qytetit të Korçës vetëm 15 km…
Gjatë protestës, banorët u shprehën se janë të gatshëm të financojnë vetë hapjen e puseve për të siguruar ujë për familjet e tyre, me kusht që të mos detyrohen të paguajnë tarifën e furnizimit me ujë. Sipas tyre, kjo do të ishte një zgjidhje më e shpejtë sesa pritja e ndërhyrjeve nga institucionet.
Ata treguan gjithashtu se aktualisht detyrohen të mbushin ujë në një çezmë të vetme të fshatit, ku çdo ditë krijohen radhë të gjata që në orët e para të mëngjesit. Kjo situatë, sipas banorëve, ka sjellë edhe tensione e konflikte mes tyre.
Përveç mungesës së ujit të pijshëm, banorët ngritën shqetësime edhe për gjendjen e rrugëve, kanalizimeve dhe infrastrukturës elektrike në zonë, duke akuzuar drejtuesit vendorë se nuk kanë mbajtur premtimet për investime dhe përmirësimin e kushteve të jetesës.
Në përfundim, banorët paralajmëruan se nëse nuk merren masa të menjëhershme për zgjidhjen e problemit, javën e ardhshme do ta përshkallëzojnë reagimin e tyre, duke bllokuar akset kryesore rrugore duke nxjerrë zejtorët….
