Nëse dikush mendonte se Korça kishte arritur kulmin e saj me serenatat, lakrorin, birrën dhe pazarin e vjetër, duhet të rishikojë mendimin.
Tashmë kemi edhe një formulë të re: paçe + serenata.
Sepse, pse të zgjedhim mes kulturës dhe gastronomisë, kur mund t’i fusim të gjitha në një pjatë?
Imagjinoni skenën: pjata e paçes mbi tavolinë, lugë në dorë dhe në sfond një serenatë korçare. Njëri këndon për dashurinë, tjetri fryn avullin e paçes dhe turisti përpiqet të kuptojë nëse ka ardhur në Korçë apo në një festival të improvizuar ku çdo gjë shërbehet me hudhër.
Natyrisht, paçja është pjesë e traditës së kuzhinës dhe serenata është një nga simbolet më të njohura të qytetit. Por pyetja është: a mjafton t’i vendosim pranë njëra-tjetrës dhe ta quajmë këtë promovim të kulturës korçare?
Korça ka histori, arkitekturë, muzikë, tradita, artizanat, gastronomi dhe një identitet që nuk ka nevojë të shpiket nga e para.
Sepse rreziku është që, në vend që të promovojmë Korçën, të përfundojmë duke promovuar vetëm… supën e saj me kolonë zanore.
Dhe ndoshta herën tjetër mund të kemi edhe një slogan të ri:
“Eja në Korçë: ha paçe, dëgjo serenatë dhe mos harro të bësh foto.”
Të paktën një gjë është e sigurt: në Korçë, edhe kur bëhet fjalë për kulturën, gjithmonë ka vend për një lugë më shumë.
