“Paçe dhe serenata”/ Kritika për festivalin: Mos “llaftarisni” të huajt me paçen

Nga Naum Mara:

Paçe dhe serenata

Raqka, të cilin unë padrejtësisht e quaj Ligaveci Gollash, ka vënë sot një video, që tregon gatimin në tenxhere me presion të paçeve dhe servirjen në një restorant në Korçë. Video e bërë për pomovimin e Serenights dhe Food and Drink Festival, që bëhet nga fundi i shtatorit.
Idea është e thjeshtë.

Ha një paçe në mëngjes, që të mban tërë ditën dhe në darkë sëlloja me verë dhe serenata dhe “U gdhiftë Shën Pjetër!”

Se ç’mund të kërkosh nga jeta më shumë.
Unë e mora parasysh që paçengrënësit do më sulen edhe më ashpër se serenatistët, por po ju them që në fillim që nuk jam antipaçist.

Madje edhe pse këtej nuk më merr malli, kur vij në Korçë ha një pjatë, por vetëm këmbe, se të tjerat nuk më bëjnë mirë, se më rrisin kolesterolin.
Kujtoj se më 1995 i ofrova një mikut tim nga Teksasi një paçe koke, i cili pasi e pa në pjatë nuk e provoi.

Nuk ngula këmbë se kisha një lloj ideje se përse mund të mos e pëlqente. Kisha qënë një muaj në Amerikë më 1993.
E mbështes plotësisht Festivalin Gjellë dhe Pije, sepse kudo në botë ka të tilla. Shoqërohen edhe me këngë kryesisht folk. Po aman mos zgjidhni paçen si simbol të kuzhinës korçare se do “llaftarisni” të huajt.

Nuk di se sa amvisa në Korçë marrin mundimin të gatuajnë paçe.

Zakonisht gratë nuk janë të pranishme në gjelltoret ku shërbehet paçe. Kështu ka qënë denbabaden. Ishte një gjellë që gatuhej në gjelltore, ose që dërgohej në një poçe të madhe balte (vorbë) dhe për të cilën kujdeseshin furrxhinjtë gjatë natës kur gatuanin bukë.

Mund të numuroj vetëm unë, me njohuri të varfra kulinare, 20 lloje pjatash karakteristike të kuzhinës korçare, disa madje që edhe duket se po humbasin se kanë shumë punë.
Po Raqka e ka kollaj t’ja futë një paçe dhe një verë dhe në darkë t’ja lerë stafetën Peleshit të këndojë serenata me ndonjë patronazhist! (Raqka fle shpejt dhe alkoli natën e turbullon.)